Ekspertët ndërkombëtarë & FSHF sjellin në Tiranë përvojën më të mirë të së drejtës sportive

Futboll

Ekspertët ndërkombëtarë & FSHF sjellin në Tiranë përvojën më të mirë të së drejtës sportive

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 21:24
Ekspertët ndërkombëtarë & FSHF sjellin në Tiranë përvojën më të mirë të së drejtës sportive

Është zhvilluar nën kujdesin e Federatës Shqiptare e Futbollit workshop-in me temë “Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, Çështje të Zgjedhura Procedurale dhe Fair-Play Financiar”, ku morën pjesë figura të njohura të së drejtës sportive në Europë dhe në Shqipëri.

Në panelin e referuesve ishin Zv.Presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Drejtori i Departamentit Juridik në FSHF, Aldi Topçiu, Giulio Palermo avokat në studion Archipel në Gjenevë, Jacopo Tognon, Avokat, Pedagog i Universitetit të Padovas dhe Arbitër në KAS si dhe William McAuliffe, Kreu i Disiplinës në UEFA.

Në këtë workshop merrnin pjesë anëtarët e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, anëtarët e Komisionit të Apelit, DHKZK dhe Komisionit të Licencimit si dhe juristë e përfaqësues të klubeve anëtare të FSHF-së.

Në fjalën hapëse të këtij takimi pune Zv.Presidenti i FSHF-së, Libohova, u uroi mirëseardhjen miqve në Shtëpinë e Futbollit për këtë workshop mbi arbitrazhin sportiv dhe fair play-n financiar ndërsa vlerësoi faktin që ky event i rëndësishëm me ekspertë ndërkombëtarë zhvillohet nga FSHF.

“Ky event mbart një rëndësi të posaçme për FSHF-në në disa aspekte. Së pari në nivel teknik është i rëndësishëm për shkëmbimin e eksperiencave mes trupave tona juridike dhe eksperteve te se drejtës sportive ne Evrope.

Drejtësia sportive tashmë është konsoliduar tashmë edhe brenda organeve vendimmarrëse të FSHF-së ndonëse jashtë federatës ajo le ende për të dëshiruar. Së dyti në nivel njohjesh ky workshop duhet të shërbejë për klubet tona anëtare si urë lidhjeje me ekspertët e huaj për të shkëmbyer eksperienca dhe pse jo, për të vendosur bashkëpunime në të ardhmen”, – tha Libohova.

Në workshop-in ndërkombëtar për të çështje të së drejtës sportive që organizua nga FSHF në vitin 2019, ekspertët juridikë të FSHF dhe klubeve shqiptare patën rastin të njihen e të shkëmbejnë eksperiencat me specialistë të së drejtës ndërkombëtare, të cilët më vonë u kthyen në bashkëpunëtorët e FSHF në çështje të rëndësishme si ajo e Nedim Bajramit në FIFA dhe më pas në CAS.

Ky ishte një takim i programuar në kuadër të politikave të federatës Shqiptare të Futbollit për shkëmbimin e dijes mes organeve juridike të FSHF dhe atyre të UEFA-s. Në workshop u trajtuan nga lektorët ndërkombëtarë specifikisht disa çështje me natyrë procedurale dhe themelore të arbitrazhit në KAS, pranueshmërisë së padive, ndihmën juridike falas dhe fair-play-n financiar, ndërkohë që të pranishmit kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të shkëmbejnë ide mes tyre.

Tre vite më parë FSHF u angazhua të kthejë evente të tilla profesionale në një zakon të mirë dhe sot, pas vështirësive të pandemisë Federata Shqiptare po i qëndron këtij angazhimi duke vijuar të shërbejë si një pike takimi për profesionistët e sektorit.

Ky workshop është i dyti që u organizua në Tiranë pas atij të janarit 2019 dhe shërbeu gjithashtu si një lloj platforme për krijimin e kontakteve mes profesionistëve të së drejtës sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat