Juve kërkon “golat” në Francë, dy sulmues në listën e drejtuesve

Futboll

Juve kërkon “golat” në Francë, dy sulmues në listën e drejtuesve

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 15:05
Mauro Icardi

Largimi i Cristiano Ronaldos ka lënë një vakum të madh në sulmin e Juventusit, pasi të gjithë emrat e mbetur në këtë repart, nuk po arrijnë t’i afrohen ritmit të portugezit dhe pikërisht mungesa e golave është një nga arsyet e ecurisë jo fort pozitive të bardhezinjve.

Këtë e kanë të qartë jo vetëm Allegri, por edhe drejtuesit e klubit bardhezi, të cilët janë vënë në lëvizje për të sjellë një emër me peshë në repartin e avancuar, teksa dy alternativat në krye të listës, aktualisht luajnë në kampionatin francez.

I pari është Mauro Icardi, një “dashuri e vjetër” për Juventusin, që ka provuar edhe herë të tjera ta marrë në Torino argjentinasin, por negociatat me PSG-në nuk janë të lehta, pasi francezët duan ta shesin, ose ta japin në huazim me detyrim blerjeje.

Nga ana tjetër torinezët nuk janë plotësisht të bindur për formën e Icardit, që ka luajtur shumë pak në dy vitet e fundit dhe kanë ofruar ta marrin në huazim me të drejtë blerjeje verën e ardhshme.

Nëse nuk arrihet te Icardi, atëherë emri tjetër në listën e drejtuesve është ai i polakut Arkadiusz Milik, i cili u kërkua edhe verën e kaluar, por Napoli vuri veton, duke e shitur më pas te Marseille në Ligue 1.

Edhe Milik është një njohës i mirë i kampionatit italian, pasi i ka treguar cilësitë e tij edhe me fanellën e Napolit, ndërsa kostoja e kartonit të tij është më e ulët se ajo e Icardit dhe lehtësisht e përballueshme nga bardhezinjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat