Gjyqtarja e parë në Serie A

Futboll

Gjyqtarja e parë në Serie A

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 12:07
Gjyqtarja e parë në Serie A

Futbolli italian është gati të mirëpresë një tjetër risi dhe të bëjë një hap të mëtejshëm historik drejt barazisë gjinore. Nga sezoni 2022-2023, pjesë e ekipit të arbitrave të Serie A dhe Serie B do të jetë edhe Maria Sole Ferrieri Caputi, gjyqtarja e parë femër në historinë e lëvizjes elitare futbollistike italiane.

Vetëm një muaj pas përzgjedhjes së tri gjyqtareve femra për Kupën e Botës “Katar 2022”; francezja Stephanie Frappart, ruandezja Salima Mukansanga dhe japonezja Yoshimi Yamashita; po projektohet edhe gjyqtarja e parë femër në Serie A. E piketuara kryesore është Maria Sole Ferrieri Caputi, 32 vjeçe, lindur në Livorno.

“Zgjedhja do të bazohet në bazë të meritës dhe jo për privilegj”, – tha presidenti i Shoqatës së Arbitrave Italianë të Futbollit, Alfredo Trentalange, në takimin e mbajtur në ‘Coverciano’ për të vlerësuar sezonin. Për edicionin e ardhshëm, i cili fillon në mes të gushtit, Trentalange e ka përfshijë këtë gjyqtare femër në listën e të federuarve për të gjykuar në Serie A.

Ferrieri Caputi kishte shënuar tashmë një pikë kthese historike dhjetorin e kaluar, kur u bë femra e parë që arbitronte një ekip të Serie A në ndeshjen Cagliari-Cittadella, e vlefshme për 1/16 finale të Kupës së Italisë.

Ajo është doktoruar në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Pizës. Gjithashtu ka një diplomë master në Sociologji, të marrë në Universitetin e Firences. “Mos më quani gjyqtare, por arbitre, – ka thënë ajo në një intervistë për ‘Corriere della Sera’.

– 90 herë nga 100 kur më thonë arbitre është për të theksuar se jam grua. Ndaj preferoj përcaktimin arbitre. Mendoj se kur të mos jetë më nevoja për ta nënvizuar këtë, atëherë do të thotë se do të kemi vërtet barazi. Ju lutem më gjykoni si arbitre futbolli, jo si grua”.

“Bota e arbitrave ka nevojë për histori të mira, – tha Trentalange nga ‘Coverciano’, duke nënvizuar se ka një “krizë profesioni” gjithnjë e më të madhe në botën e arbitrave. – Nëse nuk bëjmë përpara në këtë drejtim, kush do t’i drejtojë ndeshjet?”

Vitet e fundit, kujton ‘Corriere’, 4 mijë arbitra të rinj janë larguar nga profesioni, duke dëshmuar se si kjo është një çështje gjithnjë e më aktuale për futbollin italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat