Kërkohet një kroat për stolin

Futboll

Kërkohet një kroat për stolin

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 17:58
Pamje nga një prezantim

Tërmet te Olympiacos/ 'Portugezët' ngelin në klasë, kërkohet një kroat për stolin

Humbja në derbi djeg gjithmonë dhe lë pasoja të mëdha. Të tilla janë edhe ato te Olympiacos, pasi fill pas disfatës ndaj Panathinaikosit në derbin e Athinës, klubi nga Pireu vendosi të largojë drejtorin sportiv Pedro Alves dhe trajnerin Carlos Carvalhal.

Të dy erdhën te Olympiacos vetëm në muajin dhjetor, por puna e bërë deri tani nuk ka bindur aspak pronarin e klubit nga Pireu, Evangelos Marinakis, që ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me portugezët.

Përveç humbjes me Panathinaikosin në fundjavën e kaluar, Olympiacos humbi edhe derbin me AEK-un në janar dhe tani e sheh veten 9 pikë larg kreut dhe thuajse jashtë garës për titullin kampion.

Me largimin e drejtorit sportiv dhe trajnerit portugez, pritet të cenohet edhe projekti i nisur prej tyre, që u shoqërua me ardhjen në Pire të shumë luzitanëve si Gelson Martins, Chiquinho, David Carmo e André Horta.

Ndërkohë në median greke po qarkullojnë edhe emrat e zëvendësuesve të mundshëm. Marinakis preferon t’ia besojë skuadrën kroatit Igor Tudor, i papunë që prej largimit nga Marseille në verë.

Megjithatë pista Tudor duket e vështirë, ndaj plani B është ish-trajneri i Sevillas, Jose Luis Mendilibar, i cili fitoi Europa Leaguen me klubin andaluzian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat