Legjenda portugeze Figo vlerëson paraqitjet e Diomandes në fazën defensive, veçon rëndësinë e Arda Gulerit në lojën e Real Madridit dhe ia atribuon një pjesë të meritave për përmirësimin e skuadrës trajnerit José Mourinho.
Luis Figo është i bindur se Vinicius Junior do të rikthehet të jetë një nga lojtarët vendimtarë te Real Madridi.
Sulmuesi brazilian e ka nisur sezonin larg formës së tij më të mirë, ndërsa aktualisht është duke vuajtur një pezullim prej katër ndeshjesh në La Liga.
Figo, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur për Barcelonën dhe Real Madridin, beson se Vinicius do ta rikthejë nivelin e dikurshëm.
“Vinicius është një lojtar që do të rikthehet në nivelin dhe statusin e tij, për shkak të cilësive që posedon”, ka deklaruar Figo për “Betfair”, kompani me të cilën bashkëpunon si ambasador.
Portugezi e konsideron rënien e formës si një periudhë që mund ta kalojë çdo futbollist dhe nuk ka dyshime se braziliani do të rikthehet në nivelin e zakonshëm.
“Jam i sigurt se do ta rikthejë vendin dhe performancën e tij normale. Ai do të jetë sërish një lojtar që bën diferencën në fushë”, ka shtuar ish-futbollisti.
Edhe në muajin mars, Figo kishte dalë në mbrojtje të Viniciusit, pasi braziliani kishte humbur një penallti kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.
“Çfarë këshille do t'i jepja Viniciusit për penalltitë? Të vazhdojë t'i ekzekutojë. Penalltitë i humbin vetëm ata që guxojnë t'i gjuajnë”, kishte thënë atëherë Figo.
Në ndeshjen e kthimit, Vinicius kishte marrë sërish përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë dhe kishte shënuar, përpara se të realizonte edhe golin e dytë në fitoren 2:1 të Real Madridit.
Diomande po shfrytëzon rastin
Mungesa e brazilianit për shkak të pezullimit i ka krijuar më shumë hapësirë në formacion Yan Diomandes. Figo vlerëson se futbollisti nga Bregu i Fildishtë po përshtatet gjithnjë e më mirë me kërkesat e një klubi si Real Madridi.
“Ai tani po luan më rregullisht dhe, pa dyshim, është një futbollist që bën diferencën. Është i shpejtë dhe ka aftësi për të shënuar gola”, ka thënë Figo.
Portugezi veçoi edhe një element tjetër të rëndësishëm në lojën e tij: angazhimin në fazën defensive.
“Ka diçka shumë të rëndësishme për tifozët e Real Madridit: ai angazhohet edhe në detyrat mbrojtëse”, ka theksuar ish-ylli portugez.
Figo vlerëson edhe Arda Gulerin
Një tjetër futbollist që ka marrë vlerësime nga Figo është Arda Güler. Me minutat e shtuara në dispozicion, mesfushori turk ka fituar më shumë rëndësi në skuadër dhe po arrin të tregojë vazhdimisht cilësitë e tij me topin në këmbë.
“Është një lojtar shumë i rëndësishëm në fazën e ndërtimit të lojës së skuadrës, falë cilësive të tij teknike dhe dëshirës për ta organizuar lojën”, është shprehur Figo.
Përmirësimi në mbrojtje, meritë edhe e Mourinhos
Figo një pjesë të meritave për formën e mirë të Real Madridit ia atribuon edhe vendimeve të trajnerit José Mourinho.
Sipas tij, ndryshimet në përbërjen e skuadrës dhe përshtatjet në mënyrën e presingut kanë ndikuar që madrilenët të jenë më të organizuar dhe më të qëndrueshëm në lojë.
Portugezi vlerëson se meritat për këtë ecuri u takojnë si trajnerit, ashtu edhe futbollistëve, duke e renditur Real Madridin ndër skuadrat më në formë në Evropë.
“Ndryshimi, sipas mendimit tim, qëndron te angazhimi i të gjithë futbollistëve në fazën defensive”, ka deklaruar Figo.
Ai thekson se me cilësitë që posedon në repartin ofensiv, Real Madridi gjithmonë është në gjendje të krijojë raste dhe të shënojë gola. Megjithatë, ajo që ka ndryshuar së fundmi është se skuadra po u lejon kundërshtarëve shumë më pak hapësira dhe mundësi për të rrezikuar portën e saj.
Kjo, sipas Figos, është një nga arsyet kryesore të vazhdimësisë së rezultateve pozitive të madrilenëve.