Barcelona ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shesë Alejandro Balden, duke theksuar se mbrojtësi i majtë, i cili është lidhur me Manchester Unitedin, vazhdon të jetë një futbollist i rëndësishëm për të ardhmen e klubit katalanas.
Balde iu bashkua Barcelonës kur ishte vetëm tetë vjeç dhe që nga debutimi në ekipin e parë në vitin 2021 ka zhvilluar 173 paraqitje në të gjitha garat.
Sipas mediumit “Goal”, gjatë kësaj periudhe, 23-vjeçari ka fituar shtatë trofe me gjigantin katalanas, përfshirë tre tituj të La Ligës. Trofeun e fundit e fitoi sezonin e kaluar nën drejtimin e Hansi Flick.
Megjithatë, muajt e fundit Balde ka humbur gjithnjë e më shumë hapësirë në skuadër, pasi të pesë paraqitjet e tij këtë sezon kanë ardhur nga stoli.
Ai aktualisht renditet pas Joao Cancelos dhe Xavi Espart në hierarkinë e mbrojtësve të Barcelonës. Për këtë arsye, karriera e reprezentuesit spanjoll duket se ndodhet në një moment vendimtar.
Sipas mediumit katalanas “Mundo Deportivo”, siç raporton gazeta angleze “Metro”, kjo situatë e ka detyruar Balden të shqyrtojë mundësitë e tij, ndërsa mbrojtësi duket se është i interesuar t'i bashkohet Manchester Unitedit të Mauricio Pochettinos në afatin kalimtar të janarit.
Balde po mendon largimin nga Barcelona
Raportimet e fundit pretendojnë se futbollisti nuk është i kënaqur me situatën e tij aktuale dhe se gjithçka që ka dëgjuar për të ardhmen e tij ka ardhur përmes konferencave për shtyp.
Për këtë arsye, Premier League shihet si një mundësi për të gjetur më shumë hapësirë dhe për të rifilluar karrierën e tij.
Megjithatë, Barcelona nuk duket e gatshme të heqë dorë nga mbrojtësi i saj.
I pyetur nëse Balde mund të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit, koordinatori i futbollit në Barcelonë, Bojan Krkiq, u shpreh:
“Balde është një djalosh i shkëlqyer”.
Ai shtoi: “Është e qartë se ai ndodhet në një situatë jo të rehatshme. Futbollisti dëshiron të luajë. Ai është njëri prej nesh dhe vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm. Është e vërtetë që aktualisht nuk po luan, por është i gatshëm nëse trajneri ka nevojë për të.”
Deco e përjashton largimin e mbrojtësit
Edhe drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ishte i qartë kur u pyet nëse mund të realizohej largimi i Baldes.
Përgjigjja e tij ishte e prerë:
“Jo.” Ai vazhdoi: “Duhet marrë parasysh edhe këndvështrimi i vetë futbollistit, por ai nuk na ka thënë asgjë për pakënaqësinë e tij. Kjo nuk është e vërtetë.”
Kështu, pavarësisht interesimit të Manchester Unitedit dhe minutave të pakta këtë sezon, Barcelona këmbëngul se Alejandro Balde mbetet pjesë e rëndësishme e planeve të klubit dhe nuk ka ndërmend ta largojë në janar.