Trajneri i Irlandës habit: Kosova u përpoq të na provokonte

Futboll

Trajneri i Irlandës habit: Kosova u përpoq të na provokonte

Nga: K.G. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 16:35
Hallgrimsson shpreson që kalendari i vitit 2027 të krijojë hapësirë për zhvillimin e ndeshjeve miqësore në muajin qershor, në mënyrë që të zbulohen talente të tjera si Jack Moylan

Republika e Irlandës ende po feston fitoren e arritur të martën në Dublin, por ajo që bie në sy është edhe deklarata e trajnerit të saj, Heimir Hallgrimsson.

Ndeshja ndaj Kosovës ishte si një finale, pasi Dardanëve u mjaftonte edhe një pikë për ta siguruar vendin e dytë. Megjithatë, Irlanda arriti të triumfonte dhe, me këtë fitore, e kaloi Kosovën në renditje.

Fitorja 3:0 ndaj Kosovës në stadiumin “Aviva” ka rritur optimizmin në kampin e Irlandës, e cila tashmë po përgatitet për ndeshjet e play-off-it të Ligës së Kombeve, me synimin për t'u ngjitur në Ligën A.

Një tjetër aspekt që trajneri Heimir Hallgrimsson vlerësoi ishte përmirësimi i futbollistëve të tij në aspektin e luftës sportive dhe zgjuarsisë në duele.

Ai iu referua veçanërisht ndeshjes ndaj Kosovës, ku, sipas tij, irlandezët treguan më shumë dinakëri në lojë dhe nuk ranë pre e provokimeve të kundërshtarit.

“Që në fillim, kur mora drejtimin e ekipit, kam thënë se kësaj skuadre i mungonte një dozë agresiviteti dhe karakteri në duele. Mendoj se kemi bërë përparim edhe në këtë drejtim”, tha Hallgrimsson.

Ai shtoi se ndaj Kosovës futbollistët e tij treguan më shumë zgjuarsi dhe pjekuri në lojë sesa në përballjet me Austrinë.

“Edhe në këtë ndeshje, Kosova u përpoq të na provokonte për të na shkaktuar kartonë të verdhë dhe të kuq, por ne ruajtëm përqendrimin. Kjo është një meritë e madhe e futbollistëve.

Para ndeshjes folëm për rëndësinë që të mos e tepronim me ambiciet. E dinim se çfarë duhej të bënim dhe lojtarët e zbatuan planin”, deklaroi ai.

Të premten, irlandezët do të mësojnë kundërshtarin e tyre në ndeshjen e parë të play-off-it, që do të zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm. Kandidatë për kundërshtarë janë Kroacia, Danimarka, Serbia dhe Uellsi, shkruan mediumi irlandez “RTÉ Sport”.

Megjithatë, trajneri Heimir Hallgrimsson nuk mendon vetëm për play-off-in. Ai shpreson që gjatë vitit 2027 të ketë mundësi të zbulojë futbollistë të rinj, të cilët mund të bëhen pjesë e rëndësishme e kombëtares, ashtu siç ndodhi me Jack Moylanin.

Jack Moylan, zbulimi i madh i kombëtares irlandeze

Kur mori drejtimin e Irlandës në korrik të vitit 2024, trajneri islandez kishte theksuar se dëshironte që futbollistët irlandezë të shfrytëzonin më shumë mundësitë për të luajtur në kampionatet evropiane.

Një nga shembujt më të mirë të kësaj filozofie është Jack Moylan, i cili ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në një periudhë të shkurtër.

Mesfushori i Cardiff Cityt debutoi me kombëtaren në maj të këtij viti dhe deri tani ka shënuar pesë gola në vetëm tetë paraqitje me ekipin kombëtar.

Moylan u prezantua në mënyrën më të mirë në skenën ndërkombëtare gjatë kampit përgatitor të Irlandës në Spanjë, ku realizoi het-trik në ndeshjen miqësore ndaj Grenadës.

Që atëherë, ai ka vazhduar të përmirësohet, duke u shndërruar në një futbollist të rëndësishëm për trajnerin Hallgrimsson. Në fitoren ndaj Kosovës, mesfushori realizoi një tjetër gol dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

Irlanda shpreson të organizojë sërish kamp përgatitor në verë

Hallgrimsson shpreson që kalendari i vitit 2027 t'i krijojë mundësinë për të organizuar një tjetër kamp përgatitor në muajin qershor, ashtu siç bëri këtë vit në Spanjë.

Irlanda tashmë ka siguruar vendin në vazon e dytë për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian 2028, si dhe pjesëmarrjen në play-off-in e Ligës së Kombeve.

Sipas trajnerit, ekziston mundësia që Irlanda të përfshihet në njërin prej grupeve me katër përfaqësuese në kualifikimet e Evropianit. Kjo do t'i jepte më shumë hapësirë për të zhvilluar ndeshje miqësore gjatë verës.

“Ne do t'i kemi dy ndeshje të play-off-it në mars. Në qershor mund të zhvillojmë edhe dy ndeshje zyrtare të kualifikimeve për Evropian, por kjo është më pak e mundshme. Ekziston mundësia që të organizojmë përsëri një kamp përgatitor veror, gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”, deklaroi Hallgrimsson.

Ai theksoi se Irlanda duhet të vazhdojë të jetë e vëmendshme ndaj futbollistëve të rinj që mund të shpërthejnë në të ardhmen.

“Ne tashmë e kemi përcaktuar grupin e futbollistëve me të cilët dëshirojmë të punojmë në të ardhmen, por gjithmonë duhet t'i kemi sytë hapur për lojtarë si Jack Moylan. Duhet t'u krijojmë mundësi që të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë”, u shpreh trajneri.

Hallgrimsson: Po bëhemi gjithnjë e më të vështirë për t'u mposhtur

Fushata e Irlandës në Ligën e Kombeve nuk ka qenë e njëtrajtshme sa u përket rezultateve.

Humbja në ndeshjen e parë ndaj Kosovës në Prishtinë ishte zhgënjyese për irlandezët. Megjithatë, skuadra tregoi shenja përmirësimi në dy përballjet me Austrinë, ndërsa arriti një fitore bindëse ndaj Izraelit.

Hallgrimsson beson se ekipi i tij ka përparuar ndjeshëm, sidomos në aspektin taktik dhe organizimin e lojës.

“Ne po mbrohemi më mirë. Kundërshtarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të depërtojnë nëpër mesin tonë. Po arrijmë t'i drejtojmë drejt krahëve dhe t'u bëjmë presion në ato zona. Gjithashtu, jemi përmirësuar në mënyrën se si ndërtojmë aksionet dhe kalojmë linjat kundërshtare”, shpjegoi ai.

Megjithatë, trajneri pranoi se në fund gjithçka varet nga rezultatet dhe golat e shënuar.

“Gjithmonë mund të mbështetesh te statistikat për ta paraqitur veten në një dritë më të mirë, por në fund rëndësi ka sa gola shënon dhe sa gola pëson. Gjithmonë gjykohesh nga rezultatet”, përfundoi Hallgrimsson.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat