Leno nuk e përjashton transferimin te Bayerni

Futboll

Leno nuk e përjashton transferimin te Bayerni

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 17:26
Portieri i Fulhamit, Bernd Leno

Bayern Munih po kërkon një portier rezervë për periudhën pas pensionimit të Manuel Neuerit.

Një nga kandidatët është portieri i Fulhamit, Bernd Leno, i cili duket i hapur edhe për mundësinë që të jetë zëvendësues i Jonas Urbigut.

Ish-portieri i Kombëtares së Gjermanisë ka folur për interesimin e mundshëm të gjigantit bavarez në një intervistë për “Sky/RTL:, duke bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur kontakte konkrete me drejtuesit e Bayernit. Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në futbollin gjerman.

“Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush. Natyrisht, jam në dijeni të situatës, por jam shumë i qetë.

Kam kontratë këtu deri në fund të sezonit, ndihem shumë mirë dhe ende kam shumë dëshirë të luaj. Mendoj se aktualisht jam në kulmin e karrierës sime.

Ndoshta është gjithashtu një përvojë e vlefshme që një herë të pranosh një rol dytësor ose të bësh diçka ndryshe”, deklaroi Leno.

Megjithatë, 34-vjeçari pranoi se do ta kishte të vështirë të largohej nga një skuadër ku është titullar për të marrë një rol rezervë, përderisa ende ndihet në gjendje të luajë në nivel të lartë.

“Ndonjëherë mendoj se do të ishte për të ardhur keq të ulesha në stol diku tjetër, kur ende kam aftësitë për të luajtur. Natyrisht, gjithçka duhet të jetë e përshtatshme. Do të shohim nëse mund të rikthehem në Gjermani”, shtoi portieri gjerman.

Leno, njëri nga kandidatët e Bayernit

Bernd Leno nuk është emri i vetëm që po përmendet si kandidat për portën e Bayern Munichut. Krahas tij, në listën e mundshme janë edhe Oliver Baumann i Hoffenheimit dhe Loris Karius i Schalke 04.
Leno ka qenë titullar i padiskutueshëm te Fulhami që nga transferimi në vitin 2022. Më parë, ai ka luajtur edhe për Arsenalin dhe Bayer Leverkusenin.

Bayern kërkon zëvendësuesin e Neuerit

Roli i portierit të dytë te Bayern Munich mund të mos jetë aq i pakëndshëm sa duket. Shembulli më i mirë është Sven Ulreich, i cili për vite me radhë ka qenë zëvendësuesi i Manuel Neuerit.

Me pritjen që Neuer dhe Ulreich t'i japin fund karrierës në fund të sezonit, Jonas Urbig pritet të marrë më shumë përgjegjësi, ndërsa drejtuesit bavarezë po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të një portieri me përvojë, i cili mund ta mbështesë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat