Deri në Krishtlindje, rezultatet në fushë janë mbi gjithçka tjetër: Napoli duhet të ndryshojë ritmin dhe të fitojë dy ndeshje radhazi për të mbetur në garën për Ligën e Kampionëve.
Vetëm në këtë mënyrë De Laurentiis dhe Manna do t'i ofrojnë Alegriut përforcimet e kërkuara për afatin kalimtar të janarit, nga Varela te Sebastiano Esposito, si dhe Coulibaly e Zabi.
Një muaj vendimtar për të ardhmen
E ardhmja vendoset brenda një muaji.
Të mbetet i lidhur me grupin e skuadrave që luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve është kërkesa minimale që Aurelio De Laurentiis i bën Napolit deri në Krishtlindje.
Sipas mediumit italian “La Gazzetta dello Sport”, më pas, siç ka theksuar së fundmi edhe drejtori sportiv Giovanni Manna, "ne do të jemi të gatshëm të ndërhyjmë në tregun e transferimeve".
Massimiliano Allegri së fundmi ka marrë mbështetjen e presidentit, madje edhe në praninë e futbollistëve. Mesazhi ishte i qartë: të gjithë duhet të qëndrojnë të bashkuar për ta nxjerrë skuadrën nga kjo situatë.
Megjithatë, tani nuk është më koha për fjalë, por për vepra.
Napoli gjatë këtij sezoni nuk ka arritur asnjëherë të fitojë dy ndeshje radhazi. Në këto rrethana, bëhet pothuajse e pamundur të organizohet një rikthim në garën për objektivat e sezonit.
Nevojitet fillimisht një kthesë në aspektin sportiv dhe vetëm më pas në afatin kalimtar te transferimeve.
Madje, kjo e dyta varet drejtpërdrejt nga e para, siç kishte deklaruar Manna disa javë më parë:
"Duhet të shohim se në çfarë gjendjeje do të arrijmë në janar."
E thënë më qartë, klubi është i gatshëm të investojë për t'i siguruar Alegriut katër përforcimet që ka kërkuar për ta ringjallur sezonin. Por deri në janar, skuadra duhet të ndryshojë ritmin dhe të ngushtojë distancën me zonën që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Vetëm atëherë afati kalimtar mund t'i sjellë lojtarët e duhur për ta ndryshuar situatën.
Përforcimet në sulm dhe repartet e tjera
Reparti i mbrojtjes pritet të përforcohet edhe me rikthimin nga infermieria të një futbollisti me peshë si Alessandro Buongiorno. Megjithatë, fillimisht duhet të sqarohet se si do të lirohet një vend në listën e lojtarëve për Serie A.
Për pjesën tjetër, klubi është i gatshëm të ndërhyjë në afatin kalimtar.
Max Allegri është i bindur se mund ta ndryshojë rrjedhën e rezultateve dhe pret që klubi t'i sigurojë:
Një sulmues alternativ për Rasmus Hojlundin. Një anësor ofensiv. Një mesfushor fizik.
Një lojtar krahu që mund të luajë përgjatë gjithë vijës anësore.
Giovanni Manna është në kërkim të profileve të duhura dhe disa emra tashmë janë identifikuar.
Kontaktet për Varelën, sulmuesin e Monzas dhe golashënuesin më të mirë të Serie A, kanë nisur prej kohësh.
Bëhet fjalë për një operacion të vështirë, edhe për shkak të konkurrencës nga klubet e tjera, por Napoli do të tentojë ta realizojë transferimin e tij.
Një tjetër emër në listën e dëshirave për repartin ofensiv është Sebastiano Esposito i Sassuolos.
Allegri mund ta përdorë atë si anësor në një treshe sulmuese, por edhe në rolin e një sulmuesi të rremë (false 9), për t'i dhënë skuadrës një alternativë tjetër taktike.