Stiller është në qendër të vëmendjes

Futboll

Stiller është në qendër të vëmendjes

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 17:41
Angelo Stiller i Stuttgartit – i vlerësuar, por edhe i kritikuar.

Angelo Stiller është pa dyshim një nga shtyllat kryesore të lojës së Stuttgartit dhe, për këtë arsye, vazhdimisht është temë diskutimi. Mirëpo, kohëve të fundit ndaj tij janë shtuar kritikat.

I vlerësuar, por njëkohësisht edhe nën vëzhgimin kritik: Angelo Stiller i Stuttgartit.

Trajneri i Stuttgartit, Sebastian Hoeneß, nuk lejon që dikush të flasë keq për lojtarët e tij. E aq më pak për Angelo Stillerin, me të cilin trajnerin e lidh një rrugëtim i gjatë i përbashkët.

Sipas mediumit gjerman “Kicker”, rrugëtimi i tyre nisi te Bayern Munihu dhe akademia e tij e të rinjve, vazhdoi te

TSG Hoffenheim dhe më pas te VfB Stuttgart, deri në momentin kur Stiller u bë edhe reprezentues i Gjermanisë.

Fakti që mesfushori, i cili aktualisht është i lënduar, po përballet me kritika të shumta, nuk i pëlqen aspak trajnerit 44-vjeçar.

Suksesi është i lidhur jashtëzakonisht shumë me emrin e Angelo Stillerit.

Hoeneß thotë se: "Në parim, nuk do të ishte keq të rikujtohej se çfarë roli ka pasur Ange që nga momenti kur është bashkuar me ne. Besoj se suksesi i tri viteve e gjysmë të fundit është i lidhur jashtëzakonisht shumë me emrin e Angelo Stillerit."

Kjo vlen veçanërisht pas largimit të Wataru "Legendo" Endos, i cili në verën e vitit 2023 u transferua te Liverpooli.

Japonezi kishte pasur një rol të jashtëzakonshëm te skuadra e Stuttgartit gjatë katër sezoneve, si kapiten dhe lider i ekipit. Në vitin 2022, ai kishte siguruar mbijetesën e Stuttgartit në Bundesligë, duke shënuar me kokë golin e fitores 2:1 kundër Kölnit në minutat shtesë.

"Pas largimit të tij, nuk ishin të paktë ata që kishin frikë se skuadra mund të pësonte një rënie", kujton Hoeneß.

Megjithatë, sipas tij, Stiller e mori rolin dhe pozitën e japonezit pa ndërprerje, duke ndikuar dukshëm dhe në mënyrën më pozitive në stilin e lojës së Stuttgartit.

"Ai ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm", thekson trajneri.

Hoeneß e mbron Stillerin: Suksesi është i lidhur ngushtë me emrin e tij

Kritikat e fundit ndaj mesfushorit, i cili aktualisht nuk ka arritur t'i përsërisë paraqitjet pjesërisht të shkëlqyera të sezoneve të kaluara, Hoeneß i konsideron të tepruara.

Trajneri nuk dëshiron të komentojë raportimet sipas të cilave brenda klubit ka pakënaqësi me sjelljen e Stillerit dhe se futbollisti kishte dëshiruar të largohej nga klubi, apo vazhdon të dëshirojë një largim të tillë.
Për Hoeneß, rëndësia e këtij mesfushori defensiv për lojën e Stuttgartit është mbi të gjitha.

Këtë nivel nuk mund ta arrish pa shumë përkushtim, profesionalizëm dhe disiplinë.

Edhe drejtori sportiv Fabian Wohlgemuth e vlerëson lart futbollistin.

"Ne jemi shumë të kënaqur me Angelo. Me fanellën e VfB-së, ai është shndërruar në njërin prej mesfushorëve më të mirë të Bundesligës. Ai ka pasur një kontribut vendimtar në fitimin e Kupës së Gjermanisë (DFB-Pokal), ndërsa cilësitë e tij të jashtëzakonshme i ka dëshmuar edhe në Ligën e Kampionëve dhe në kombëtaren gjermane", deklaron Wohlgemuth.

"Këtë nivel nuk mund ta arrish pa shumë përkushtim, profesionalizëm dhe disiplinë."

Falë këtyre cilësive, Stiller tani është në rrugën e rikthimit në fushë, pas gati tri javësh mungesë për shkak të një lëndimi në muskujt e pjesës së brendshme të kofshës (aduktorët).

"Deri në momentin e lëndimit, unë e kam parë atë në një formë gjithnjë e më të mirë dhe në një nivel vërtet të lartë", thotë Hoeneß.

"Për këtë arsye, mungesa e tij ishte natyrisht një goditje e rëndë për ne. Presim me padurim rikthimin e tij."

Shpresat për ndeshjen në Milano

Për ndeshjen e së shtunës në udhëtim kundër Schalkes, Stiller nuk do të jetë i gatshëm.

Megjithatë, ekziston mundësia që ai të rikthehet të mërkurën e ardhshme në Ligën e Kampionëve, në ndeshjen kundër Interit në Milano.

"Nuk dëshiroj të jap ndonjë parashikim", thotë Hoeneß, por nuk e përjashton mundësinë e rikthimit të tij.

"Megjithatë, nëse ndodh kjo, do të ishte një rikthim pikërisht në momentin e fundit."
25-vjeçari, sipas trajnerit, do të bëjë gjithçka për t'u rikthyer sa më shpejt.

"Ai tashmë po stërvitet me ekipin, pa kufizime të veçanta, përfshirë edhe duelet mes lojtarëve, natyrisht duke treguar kujdesin e nevojshëm. Nuk është më larg rikthimit."

Shqetësimet fizike ende nuk janë zhdukur plotësisht, por tashmë janë minimale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat