Klubi i futbollit Trepça nga Mitrovica ka reaguar përmes një komunikate zyrtare lidhur me zhvillimet e fundit.
“Trepça është mbi interesat personale!
Të nderuar tifozë, simpatizantë dhe qytetarë të Mitrovicës, ditëve të fundit, në disa portale, kryesisht nga qyteti ynë i dashur, Mitrovica, po qarkullojnë informacione të ndryshme për KF Trepçën, të cilat, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë asnjë bazë dhe synojnë të dëmtojnë imazhin, stabilitetin dhe të ardhmen e klubit tonë.
Fatkeqësisht, duket se për disa individë interesat personale janë bërë më të rëndësishme sesa vetë klubi. Ata që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Trepçën, sot përpiqen të krijojnë pengesa për njerëzit që po mundohen ta mbajnë klubin gjallë, pavarësisht vështirësive të shumta.
Por ajo që është edhe më shqetësuese, madje e pabesueshme, është se këto veprime kanë shkuar deri aty sa të ndërhyhet edhe në sigurimin e ushqimit për futbollistët tanë!
Kemi informacione se në disa restorante është kërkuar që lojtarëve të KF Trepçës të mos u ofrohet ushqim, me arsyetimin:
“Ne nuk jemi më në klub, prandaj mos i lejoni të ushqehen.”Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një lakmi e pashuar për përfitime personale, një përpjekje për të përvetësuar meritat, mundin dhe djersën e të tjerëve, pa dhënë asnjë kontribut dhe pa pasur asnjë meritë në atë që është ndërtuar me vite të tëra sakrifice, përkushtimi dhe pune të ndershme.
Nëse këto veprime konfirmohen, ato përbëjnë një sjellje të papranueshme, që bie ndesh me çdo parim njerëzor, sportiv dhe moral. Dhe shtrohet pyetja: kush janë dashamirët e vërtetë të Trepçës?
Si mund të quhet tifoz apo dashamir i KF Trepçës dikush që, kur Trepça humb, shkruan se “ndeshja është luajtur në bastore”, ndërsa kur Trepça fiton, pretendon se “ndeshja ka qenë e trukuar”?
A është kjo dashuri për klubin, apo përpjekje për ta njollosur atë pavarësisht rezultatit?!
A mund të quhen dashamirë të Trepçës ata që nuk gjejnë asnjëherë një fjalë të mirë për futbollistët, stafin teknik dhe njerëzit që po sakrifikojnë për këtë klub?
Kritika konstruktive është gjithmonë e mirëseardhur. Askush nuk është mbi kritikën, por ekziston një dallim i madh ndërmjet kritikës së sinqertë dhe akuzave të pabazuara që synojnë të zhvlerësojnë çdo përpjekje dhe çdo rezultat të ekipit.
Trepça nuk mund të jetë fajtore edhe kur humb, edhe kur fiton!
KF Trepça nuk është pronë personale e askujt! Është klub me histori, traditë dhe krenari, që u përket brezave të Mitrovicës dhe tifozëve të saj besnikë.
Ata që vërtet e duan Trepçën duhet ta dëshmojnë këtë me vepra, jo vetëm me fjalë. Klubi ka nevojë për njerëz që kontribuojnë, që ndihmojnë dhe që qëndrojnë pranë tij edhe në momentet më të vështira.
Të nderuar tifozë, nuk ka vend për shqetësim, por ka vend për punë, përkushtim, bashkim dhe përkrahje të klubit tonë!
Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po kalojmë, por jemi po aq të vendosur që të vazhdojmë punën për stabilizimin dhe forcimin e klubit. U bëjmë thirrje të gjithë tifozëve dhe qytetarëve të Mitrovicës të mos bien pre e dezinformatave, por të qëndrojnë pranë futbollistëve dhe stafit teknik, të cilët po tregojnë karakter, dinjitet dhe respekt për fanellën e Trepçës.
Trepça ka kaluar shumë sfida gjatë historisë së saj, por asnjëherë nuk është dorëzuar!
Trepça nuk ndërtohet me shpifje e përçarje, por me punë, sakrificë dhe dashuri të sinqertë!
Kush e do Trepçën, e mbështet edhe në fitore, edhe në humbje!
Trepça është e Mitrovicës, jo e interesave personale!”, reagon KF Trepça.