“Giuntoli dhe unë jemi gjithmonë në komunikim dhe në një mendje. Ne e dimë se për çfarë kemi nevojë, shohim përpara. Jemi në të njëjtën linjë, do të bëjmë një ekip konkurrues dhe të qëndrueshëm. Të gjithë kemi entuziazëm të madh”.
Këto janë fjalët e trajnerit të Juventusit, Thiago Motta, pas ndeshjes miqësore ndaj Atletico Madridit. Ish-trajneri “rossoblù”, pavarësisht humbjes ndaj skuadrës së Simeones, mbetet pozitiv, por mbi të gjitha i qetëson tifozët bardhezinj duke nënvizuar harmoninë dhe bashkëfajësinë me drejtorin sportiv Giuntoli, duke siguruar një fund të nxehtë transferimesh.
“Jam i bindur për djemtë që kam dhe ata që do të vijnë për të forcuar skuadrën”, – deklaroi ai, i sigurt për mjetet që ka dhe goditjet që Juve është gati të bëjë në merkato. Megjithatë, ai nuk shkoi shumë larg për blerjen më të shumëpritur, të dëshiruar prej kohësh nga fansat:
“Koopmeiners? Nuk kam folur me Gasperinin. Tashmë jam duke menduar për fillimin e kampionatit, ndihem shumë i lumtur me atë që kemi bërë. Kemi një javë për t’u përgatitur për ndeshjen e parë kundër Como”.
Trajneri bardhezi është i vetëdijshëm për shumë punë që duhet bërë ende, por nënvizoi edhe hapat e shumtë përpara në këtë kohë të shkurtër, së bashku me skuadrën, çka u duk edhe në ndeshjen kundër Atletico Madridit: “Kemi pasur shumë progres. Krijuam rreziqe kundër një skuadre që mbron shumë mirë dhe vjen për të të shtypur një kundër një, sikurse ndodhi me rastin e golit të dytë të pësuar”.
Për paraqitjen e talentit turk: ”I kërkoj Yidiz të qëndrojë kështu si anësor, duhet të jetë i hapur për të kërkuar duelet një kundër një, të sulmojë thellësinë dhe të gjuajë”.