Guardiola mbron Man Cityn

Futboll

Guardiola mbron Man Cityn

Më: 24 maj 2026 Në ora: 14:26
Pep Guardiola

Pep Guardiola ka ripërsëritur besimin e tij te drejtuesit e Manchester Cityt, ndërsa klubi pret vendimin për çështjen e 115 akuzave për shkelje të rregullave financiare në Premier League.

Akuzat lidhen me periudhën 2009-2018, ndërsa City u akuzua zyrtarisht nga Premier League në shkurt të vitit 2023. Rasti konsiderohet një nga betejat më të mëdha ligjore në historinë e futbollit anglez.

Guardiola, i cili po përgatitet të mbyllë një dekadë të suksesshme në “Etihad”, tha se vazhdon t’u besojë drejtuesve të klubit. “U besoj atyre. Kam folur me ta dhe u besoj mënyrës si kanë vepruar”, u shpreh trajneri spanjoll.

Vendimi i komisionit të pavarur pritet pas përfundimit të sezonit, ndërsa në rast se City shpallet fajtor, ndëshkimet mund të përfshijnë gjoba të mëdha, zbritje pikësh apo edhe përjashtim nga elita e futbollit anglez.

Megjithatë, çdo vendim pritet të pasohet nga një proces i gjatë apelimi.

Largimi i Guardiolës do të shënojë fundin e një prej epokave më të suksesshme në Premier League, ndërsa Manchester City hyn në një periudhë të rëndësishme tranzicioni, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë ligjor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat