Edicioni i ri i Kupës së Shqipërisë, 2026-2027, merr rrugë sot me zhvillimin e dy ndeshjeve të turit paraeliminator, ku fituesi i çdo çifti përcaktohet me një ndeshje të vetme.
Në këtë fazë marrin pjesë katër klube, të ndara në dy çifte, që do të luftojnë për një biletë në turin e parë të këtij kompeticioni. Në fushë do të zbresin Albpetroli–Memaliaj dhe Gramshi–Basania, me të katërta skuadrat që militojnë në Kategorinë e Dytë.
Albpetroli dhe Memaliaj janë dy skuadra që këtë sezon janë ngjitur në Kategorinë e Dytë nga Kategoria e Tretë, ndërsa Gramshi dhe Basania janë pjesë e Grupit A të kësaj kategorie. Të dyja përballjet do të luhen sot në orën 15:00. Albpetroli do të presë Memaliajn në stadiumin “Alush Noga” të Patosit, ndërsa Gramshi dhe Basania do të përballen në stadiumin “Nexhip Trungu” të Gramshit.
Për të katërta skuadrat, Kupa përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të vijuar aventurën në këtë kompeticion, ndërsa fituesit e dy çifteve do të kalojnë në turin e parë, aty ku gara do të nisë të marrë një tjetër dimension. Edicioni i këtij sezoni parashikon që tre turet e para të zhvillohen me nga një ndeshje të vetme, çka e bën çdo përballje edhe më të rëndësishme dhe nuk lë shumë hapësira për gabime.
Në dy turet e para do të marrin pjesë kryesisht skuadrat e Kategorisë së Dytë dhe të Parë, ndërsa ekipet e Superiores, “Big”-ët e futbollit shqiptar, do t’i bashkohen garës në turin e tretë. Hyrja e skuadrave të elitës parashikohet të ndodhë në janar të vitit 2027, duke i dhënë Kupës një tjetër ritëm dhe interes. Ndërkohë, sot vëmendja është e përqendruar te katër skuadrat që do të kërkojnë të hedhin hapin e parë drejt një aventure sa më të gjatë në Kupën e Shqipërisë.