Laporta e kthen situatën kundër Pérezit

Futboll

Laporta e kthen situatën kundër Pérezit

Më: 29 shtator 2026 Në ora: 12:00
Perez

Joan Laporta nuk kishte nevojë ta hapte një tjetër betejë rreth detajeve të çështjes Negreira për t’iu përgjigjur sulmit të ashpër të Florentino Pérezit ndaj Barcelonës.

Presidenti katalanas e ka zgjedhur një rrugë tjetër, më të ndërlikuar dhe potencialisht më shqetësuese për presidentin e Real Madridit: ta zhvendosë përplasjen nga mediat në sallat e gjyqit.

Për vite me radhë, polemika është përqendruar te pagesat që Barcelona ua bëri kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Referëve në Spanjë, shkruan “Goal”.

Tani, Pérez përballet me një seancë të caktuar për 25 nëntor, lidhur me deklaratat e tij se Barcelona është përfshirë në korrupsion, se i ka pasuruar gjyqtarët e futbollit dhe se ka përfituar vazhdimisht nga vendimet e tyre.

Barcelona nuk po e kërkon vetëm një falje nga Pérez. Klubi kërkon që ai t’i tërheqë deklaratat konkrete ose t’i identifikojë referët, ndeshjet dhe faktet mbi të cilat bazohen akuzat e tij.

Nëse kjo nuk ndodh, Barcelona mund të ngrejë padi penale ndaj presidentit të Real Madridit.

Si nisi çështja Negreira?

Çështja lidhet me pagesat që kompanitë e lidhura me Negreiran dhe djalin e tij morën për disa vite nga Barcelona.

Hetimet flasin për shuma që i tejkalojnë 7 milionë euro gjatë periudhës së marrë në shqyrtim.

Në atë kohë, Negreira ishte zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Referëve, çka bëri që marrëdhënia financiare mes tij dhe njërit prej klubeve më të mëdha të Spanjës të vihej nën një vëzhgim të madh.

Barcelona ka deklaruar se pagesat ishin për raporte dhe këshillime teknike rreth gjyqtarëve dhe jo për të përfituar favore nga gjyqtarët.

Klubi ka pohuar se ekzistojnë qindra raporte dhe materiale të prodhuara si pjesë e këtyre shërbimeve.

Megjithatë, hetimet ngritën pikëpyetje mbi vlerën reale të punës së kryer dhe mënyrën se si këto materiale janë përdorur nga klubi.

Disa ish-trajnerë të Barcelonës kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni të tyre ose nuk i kishin përdorur.

Një raport i Gardës Civile spanjolle theksoi se, në atë fazë të hetimit, nuk ishte vërtetuar se më shumë se 7.5 milionë euro kishin përfunduar realisht te shërbimet e konsulencës që Barcelona e përshkruante.

Raporti gjithashtu evidentoi tërheqje parash “cash” nga kompanitë e lidhura me Negreiran, destinacioni përfundimtar i të cilave mbeti i paqartë.

Megjithatë, raporti nuk arriti në përfundimin se paratë kishin blerë vendime të arbitrave. Kjo mbeti një nga hipotezat e hetimit.

Dallimi kryesor është ky: pagesat dhe hetimi ndaj tyre janë fakte të dokumentuara. Por të provosh se Barcelona ka blerë referë apo ndeshje është një çështje tjetër, e cila ende nuk është zgjidhur përfundimisht nga gjykatat.

Çfarë kanë thënë realisht hetimet?

Kjo është pika që i bën deklaratat e Pérez më të ndjeshme edhe në aspektin ligjor.

Deri tani, asnjë vendim gjyqësor nuk ka konstatuar se Barcelona ka paguar referë për t’i ndryshuar rezultatet e ndeshjeve.

Disa gjyqtarë kanë dëshmuar para Gardës Civile dhe dëshmitë e tyre nuk e kanë vendosur një ndikim të drejtpërdrejtë në garë.

Disa prej tyre e kanë shprehur bindjen se Barcelona mund të ketë kërkuar një avantazh sportiv përmes marrëdhënies me Negreiran, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se një ndikim i tillë ishte i pamundur ose nuk kishte ndodhur.

Një raport i vitit 2026 nga autoritetet tatimore spanjolle nuk gjeti prova se paratë e Barcelonës kishin përfunduar te arbitrat apo ishin përdorur për të ndikuar rezultatet.

Megjithatë, ai evidentoi tërheqje të përsëritura parash nga llogaritë e Negreiras dhe vuri në dukje se qëllimi përfundimtar i një pjese të tyre mbeti i paqartë.

Në maj të vitit 2024, gjykata e Barcelonës rrëzoi akuzën për ryshfet, duke arsyetuar se Negreira nuk kishte statusin e një zyrtari publik që kërkohej për këtë vepër penale. Ndërkohë, hetimi për aspektin e korrupsionit sportiv vazhdon.

Pra, situata nuk mund të përshkruhet as si “Barcelona është shpallur e pafajshme dhe çështja ka përfunduar”, por as si “është provuar se Barcelona ka blerë arbitrat”. Realiteti ligjor është më kompleks.Florentino Pérez nuk është mjaftuar vetëm me ngritjen e pikëpyetjeve rreth çështjes Negreira.

Ai ka përdorur deklarata shumë të forta, të cilat tani mund të bëhen qendra e betejës ligjore me Barcelonën.

Presidenti i Real Madridit e ka cilësuar çështjen si “korrupsion sistematik” dhe madje si “skandali më i madh në histori”.

Pérez ka shkuar edhe më tej, duke folur për ndikimin e pretenduar të arbitrave në historinë e Real Madridit.

Ai ka deklaruar se klubi madrilen mund të kishte fituar më shumë tituj të La Ligës dhe se shtatë tituj kampionë i janë “vjedhur” Real Madridit për shkak të vendimeve të arbitrave.

Pérez ka deklaruar gjithashtu se Barcelona “përfiton gjithmonë” nga referët.

Këto nuk janë thjesht pyetje apo dyshime mbi marrëdhënien mes Barcelonës dhe Negreiras, por akuza të drejtpërdrejta.

Dhe pikërisht këtu Laporta ka gjetur hapësirën për të kundërsulmuar.

Në vend që të përfshihej në një tjetër luftë mediatike për çdo faturë, raport apo llogari të lidhur me çështjen Negreira, Barcelona ka vendosur t’i vendosë nën llupë vetë deklaratat e Pérez.

Klubi kërkon që presidenti i Real Madridit t’i tërheqë ato që Barcelona i konsideron deklarata “të pavërteta dhe dëmtuese për reputacionin e klubit”..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat