Mensur Nexhipi dhe Zoran Batroviqi e kthyen Cërvena Zvezdën kokulur nga Prishtina në Beograd

Futboll

Mensur Nexhipi dhe Zoran Batroviqi e kthyen Cërvena Zvezdën kokulur nga Prishtina në Beograd

Nga: K.Goca Më: 1 tetor 2026 Në ora: 14:54
Zoran Batroviqi dhe Mensur Nexhipi

Prishtina ka qenë gjithmonë kundërshtar i fortë për skuadrat e mëdha të futbollit ish jugosllav, madje shpesh është konsideruar si një “mace e zezë” për katërshen e madhe të asaj kohe, si Dinamon e Zagrebit, Hajdukun e Splitit, Cërvena Zvezdën dhe Partizanin e Beogradit.

Një nga fitoret më të veçanta të Prishtinës në historinë e saj ishte pikërisht ajo ndaj Cërvena Zvezdës, me rezultat 2:1.

Ditët e fundit të vjeshtës, më 1 dhjetor, Prishtina me Mensur Nexhipin dhe Zoran Batroviqin i shkaktuan humbje Zvezdës në kuadër të javës së 16-të të Ligës së parë të ish Jugosllavisë.

Nexjhipi ishte në formë të lartë, përveç që shënoi golin, nxori edhe penallti, duke e bërë me dhimbje koke trajnerin e Zvezdës, Gojko Zec, dhe në anën tjetër Dragan Xhajiçi kërcente në bankë nga sikleti i madh.

Nexhipi shënoi në minutën e 6-të dhe Batroviqi në të 20-tën nga penalltia, mbi 25 mijë shikues shpërthyen si vullkan në stadiumin e Prishtinës.

“Kur para fillimit të ndeshjes së djeshme Prishtina–C. Zvezda publiku dhe udhëheqësia e klubit të Prishtinës përshëndetën Nexhipin e Batroviqin, të cilët dje luajtën ndeshjen e fundit në Prishtinë para se të shkojnë në shërbimin ushtarak, askujt s’do t’i kishte shkuar ndër mend se mu këta dy lojtarë do ta vendosin fatin e duelit me një kundërshtar të fortë siç është C. Zvezda zulmëmadhe.

Por, mu këta dy, mbas nga dëshira që të lënë përshtypje sa më të mirë në ndarjen e përkohshme, qenë dhe aktorët kryesorë të ndeshjes. Jo vetëm që shënuan nga një gol, në sajë të të cilëve Prishtina shënoi fitoren e parë para shikuesve të saj në duel me C. Zvezdën, porse vazhdimisht ishin rrezik i vërtetë për mbrojtjen e rivalit, i cili në stadiumin e kryeqendrës së Kosovës pësoi humbjen e tretë në këtë kampionat”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja” më 2 dhjetor të vitit 1985. 

Partizani kryesonte me 25 pikë, i ndjekur nga C. Zvezda me 23, ndërsa Prishtina e mbante vendin e tetë me 18 pikë.

Prishtina – Cërvena Zvezda 2:1
Stadiumi i Qytetit në Prishtinë.
Shikues: Mbi 25.000.
Shënues: Nexhipi (6'), Batroviqi (20 ' - nga penalltia) - Elzner (56').
Referuan Enver Shariqi i Trebinjës (kryesor), Stjepan Gllavina i Klisit e Mirosllav Vishnjiçki i Novi Sadit (anësorë).
Me karton të verdhë u ndëshkua B. Gjurovski.
Prishtina: Rade Zalladi 8, Xhevdet Muriqi 6, Fatom Domi 7, Sahit Kelmendi 8, Skënder Shengyli 7, Rifat Mehinoviqi 7, Mensur Nexhipi 8, Favzi Rama 6 (Kujtim Shala 6), Fadil Vokrri 7, Fadil Muriqi 6 dhe Zoran Batroviqi 8.
Cërvena Zvezda: Lukovçan 7, Kërxheviq 6, Jankoviq 7, Miletoviq 6, Elzner 7, Shugar 7, Nikoliq 6, B. Gjurovski 6, Musemiqi 6, Millojeviqi 6 dhe Gjuroviq 6.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat