Barcelona ka ngritur shqetësimin për gjendjen fizike të Raphinhës, pasi sulmuesi brazilian ka pësuar tri dëmtime gjatë gjashtë muajve të fundit, të gjitha në grumbullimet me kombëtaren e Brazilit dhe në të njëjtën zonë, kofshën e djathtë.
Raphinha iu nënshtrua kontrolleve mjekësore në “Ciutat Esportiva Joan Gamper”, ku stafi mjekësor dhe ai atletik i Barcelonës po përpiqen të zbulojnë arsyet që kanë shkaktuar përsëritjen e problemeve muskulore.
Klubi katalanas pritet të bisedojë edhe me futbollistin për të analizuar nëse ekziston ndonjë element i përsëritur në mënyrën e stërvitjes apo në nxehjen para ndeshjeve. Barça kërkon të kuptojë gjithashtu nëse ka ndryshime mes metodave të punës së kombëtares braziliane dhe atyre që aplikohen në klub.
Kontrollet e fundit kanë sjellë një lajm pozitiv. Dëmtimi i fundit nuk konsiderohet serioz dhe Raphinha mund të jetë në dispozicion të Barcelonës për ndeshjen ndaj Getafes javën e ardhshme. Megjithatë, përsëritja e problemeve fizike ka bërë që klubi të jetë në gatishmëri.
Braziliani e kishte nisur sezonin në formë shumë të mirë me Barcelonën, por grumbullimi i fundit me kombëtaren i solli sërish një shqetësim muskulor. Raphinha luajti 90 minuta ndaj Australisë dhe disa ditë më vonë u aktivizua përsëri nga minuta e parë në Melburn.
roblemet kishin nisur që në mars të këtij viti, kur u dëmtua në ndeshjen ndaj Francës. Në qershor, ndaj Haitit, pësoi një tjetër dëmtim, këtë herë në bicepsin femoral të kofshës së djathtë.
Tashmë Barcelona synon të identifikojë shkaqet dhe të shmangë përsëritjen e dëmtimeve, veçanërisht në një sezon ku Raphinha shihet si një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.