Amorim hyn në histori të Milanit

Futboll

Amorim hyn në histori të Milanit

Më: 19 tetor 2026 Në ora: 10:22
Ruben Amorim

Ruben Amorim po bën një fillim mbresëlënës në stolin e Milanit. Trajneri portugez ka arritur të qëndrojë i pamposhtur në shtatë ndeshjet e para në Serie A, duke hyrë në historinë e klubit kuqezi.

Sipas statistikave të Optas, Amorim është trajneri i tretë në historinë e Milanit që nuk pëson asnjë humbje në shtatë ndeshjet e para në kampionat.

Bilanci i tij deri më tani është katër fitore dhe tri barazime. Para tij, këtë sukses e kishin arritur vetëm Héctor Puricelli në vitin 1955, me tri fitore dhe katër barazime, si dhe Luis Carniglia në vitin 1963, me katër fitore dhe tri barazime, njësoj si Amorim.

Amorim flet për Rabiot: Më pëlqejnë lojtarët emocionalë

Pas fitores ndaj Atalantës, trajneri i Milanit foli edhe për Adrien Rabiot dhe deklaratat e tij pas përfundimit të ndeshjes.

“Rabiot është një lojtar special. Më kujtohet se ai ka thënë saktësisht të njëjtën gjë edhe për kombëtaren. Po flasim për lojtarë që kanë fituar gjithçka, madje edhe Kupën e Botës. Kjo mund t’i ndodhë çdo skuadre. Ai ka thënë të njëjtën gjë edhe në kombëtare dhe kjo më pëlqen”, deklaroi Amorim.

Trajneri portugez theksoi se Milani nuk e meritonte ta përfundonte ndeshjen me atë ndjesi të hidhur, duke iu referuar vështirësive që skuadra pati në minutat e fundit.

“Nuk është vetëm çështje mentaliteti, por edhe mënyra se si ndihemi, madje edhe brenda stadiumit. Stadiumi nuk zbret në fushë për të luajtur, por pas ndeshjes së parë e kam ndier se si ka ndryshuar atmosfera.

Është një aspekt për të cilin duhet të punojmë si ne, ashtu edhe tifozët tanë. Kur ndodh diçka gjatë ndeshjes, duhet të vazhdojmë të luajmë në të njëjtën mënyrë.

Rabiot është shumë emocional kur flet pas ndeshjeve dhe mua më pëlqejnë vërtet shumë lojtarët emocionalë”, përfundoi Amorim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat