Egnatia përballet sonte në mbrëmje me Aarhus, takim i vlefshëm për xhiron e dytë të UEFA Conference League. Rrogozhinasit luajnë në transfertë, më konkretisht në Danimarkë, në “Cepheus Park”, ora 21:00.
Sigurisht, ndeshje të tilla marrin peshën e tyre kur bëhet fjalë për një kompeticion që është prekur për herë të parë nga kampionët e Shqipërisë dhe dëshira për pikët motivojnë “djemtë” e Nevil Dedes. Mirëpo, nëse i referohemi kalendarit të ngjeshur, trajneri i rrogozhinasve ka edhe fluks edhe “alert” në të njëjtën kohë.
FLUKS – Shumë ndeshje për të zhvilluar sikurse dhe shumë lojtarë në dispozicion. Grupi është i plotë, me përjashtim të Bakayokos, rikthimi i të cilit po vlerësohet ende nga stafi mjekësor. Kalendari imponon intensitet dhe përgatitje maksimale për t’u shfaqur sa më kërkues në fushën e lojës. Në mes janë pikët dhe ato përcaktojnë vazhdimësinë e skuadrës, në këtë rast të Egnatias. Fluks për Deden mbetet edhe përzgjedhja për lojtarët që do të aktivizojë në fushë, por duke treguar vigjilencë maksimale.
ALERT – Padyshim, duhet kujdes. Meraku ekziston te Egnatia që lojtarët duhen ruajtur dhe minutat në këmbë duhen menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme për të eliminuar dëmtimet. Sa i përket pikëve, edhe ato mbeten objektiv që nxit lojtarët të marrin maksimumin dhe të mos lënë asnjë të vetme për kërkesat që kanë në dy fronte; Conference League dhe Superiore.
Kalendari i ka dy anët e medaljes: Riskun për të tentuar gjithçka dhe efektet anësore; lënie pikësh, objektiva në pikëpyetje dhe dëmtime në “pragun” e derës. Pikërisht, këto meraqe në radhët e Egnatias janë një arsye më shumë dhe një “panoramë” që do të reflektojë identitetin e një skuadre të ndërtuar për sukses.