Çfarë tha Saraçini para kuvendarëve?  

Hendboll

Çfarë tha Saraçini para kuvendarëve?  

Nga: K.G. Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 22:38
Saraçini

Eugen Saraçini sot u rizgjodh president edhe për katër vite i Federatës së Hendbollit të Kosovës. 
Ai zotohet se do angazhohet me të gjitha forcat për të mirën e hendbollit dhe rritjen e nivelit në përgjithësi. 

Çfarë tha Saraçini para kuvendarëve?  

“Jemi mbledhur këtu në një kohë vërtetë sfiduese, kur e gjithë bota po vuan pasojat e pandemisë COVID-19. Jemi mbledhur për një punë të rëndësishme për federatën tonë, hendbollin dhe sportin në përgjithësi. Jemi këtu për të vendosur për drejtuesit e federatës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Në kohë kur ju vendosni për drejtuesit e federatës për mandatin e ardhshëm është e udhës që të bëjmë një prezantim, në pika të shkurtra, të asaj që kemi bërë së bashku në dy mandatet e kaluara, që unë kisha privilegjin, por edhe përgjegjësinë, për të drejtuar me Federatën e Hendbollit të Kosovës.

Mund të vlerësoj pa drojën më të vogël, se së bashku me ju, kemi bërë punë të jashtëzakonshme. Kemi kaluar barriera, kemi vendosur standarde të reja dhe kemi prekur nivele goxha të larta. Natyrisht, kjo do të ishte e pamundur pa kontributin e të gjithëve dhe për këtë iu falënderoj përzemërsisht.
Në mandatin tonë të parë, kemi udhëhequr procesin e pranimit me të drejta të plota në Federatën Evropiane të

Hendbollit dhe në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit. Nuk ishte proces i lehtë. Përkundrazi. Kemi pasur shumë pengesa, por që i kemi kaluar në bashkëpunim me miqtë tanë, që po bëhen gjithnjë e më të shumtë.

Me pranimin e plotë në EHF dhe IHF e kemi fituar të drejtën që të garojmë me ekipet kombëtare në garat evropiane dhe botërore. Fillimi ishte i vështirë, por kemi mësuar nga lëshimet eventuale, jemi forcuar aty ku ishim më të ndjeshëm dhe kemi rrugëtuar para. Tani i kemi të konsoliduara ekipet kombëtare në të dy gjinitë dhe në të gjitha grupmoshat. Dhe përparimi është evident.

Pa ndarë, si pjesë e proceseve që në FHK nuk do të ndalen asnjëherë, pavarësisht se kush do të jetë në krye, kemi thelluar bashkëpunimin me EHF-në dhe IHF-në. Kemi fituar të drejtën të organizojmë ngjarje ndërkombëtare dhe ishim nikoqir të jashtëzakonshëm. Këtë vlerësim e kanë dhënë përgjegjësit në IHF e EHF, që na kanë falënderuar për organizimet që i kemi bërë.

E organizuam Kampionatin e vendeve me hendboll në zhvillim ku morën pjesë ekipe kombëtare nga e gjithë bota dhe që të gjithë u ndanë të kënaqur.

Kemi organizuar edhe kampionatin IHF Trophy për dy grupmosha të ndryshme, U-18 e U-20. Fillimisht ky kampionat u organizua në nivel evropian dhe më pas në atë ndërkontinental. Dhe përmes tij kemi arritur atë që shumë gjenerata, shumë sportistë e kanë ëndërruar. Kemi arritur diçka për të cilën kemi punuar të gjithë së bashku dhe shumë të tjerë para nesh. Morëm pjesë në Botërorin e juniorëve në Spanjë, duke u bërë të parët në mesin e sporteve ekipore. Pra duke shkruar histori, ashtu si ne në FHK shkruajmë vazhdimisht.

Në Spanjë, vendin që nuk njeh shtetin e Kosovës, mundësuam që të intonohet himni i shtetit tonë, që të valojë lartë flamuri i Kosovës, krahas flamujve nga vendet tjera botërore. Ishte moment krenarie, moment që duhet të na shërbejë për zhvillim të mëtejmë që djemtë e vajzat tona sërish ta përjetojnë atë ndjenjë, që të jenë në ngjarjet më të mëdha.

Krahas pjesëmarrjes në Botëror, në mandatin tonë të dytë kemi punuar shumë për ngritjen e nivelit të ekipeve kombëtare. Dhe, pa modesti mund të them se ia kemi arritur. Fitoret me Izraelin e Gjeorgjinë, barazimi me Poloninë e Italinë dhe paraqitjet e denja me Gjermaninë, Malin e Zi dhe kombëtaret tjera, vërtetë mua më bëjnë krenar dhe besoj se edhe juve njëjtë. Kosova tashmë ka kombëtare që prezantohet me dinjitet dhe që ka respektin e të gjithëve. Është rritur shumë edhe Kombëtarja e hendbollisteve e po ashtu ato të grupmoshave.

Edhe skuadrat tona kanë arritur suksese solide në kupat evropiane. Për shembull në edicionin e fundit, përkundër krizës globale, pesë skuadra të hendbollit garuan në Evropë. Besa Famgas e Istogu u veçuan, por edhe të tjerat shfaqën vlera.

Nëse kthehemi prapa, është një mal me suksese e të arritura. Por assesi nuk guxojmë të jemi të kënaqur. Vend për vetëkënaqësi nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë. Ngritja e rritja jonë duhet të jetë e vazhdueshme.
Dhe me këtë qëllim shprehim synimin për një tjetër mandat në krye të FHK-së për të quar para proceset dhe për të rritur Federatën e Hendbollit të Kosovës.

Pjesë e programit tonë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar është masivizimi i mëtejmë i hendbollit dhe ngritja e cilësisë nëpër klube, si bazë për zhvillim të hendbollit dhe forcim të ekipeve kombëtare.

Ne tashmë po punojmë për sfidat që na presin. Nesër e fillojmë garën për këtë vit, që është bërë interesante dhe me plot ndeshje dramatike. Po punojmë edhe për ndeshjet ndërkombëtare që na presin muajin e ardhshëm, me

Kombëtaren A të hendbollistëve dhe atë të hendbollisteve. Ndeshje tjera na presin në pranverë, ndërsa vera do të jetë e mbushur me aktivitete. Përkushtimi ynë maksimal do të jetë për kampin që po e konkretizojmë tashmë, ndërsa na presin Evropianët me grupmoshat e reja në të dy gjinitë. Bëhet fjalë për katër kampionate të ndryshme evropiane, që kërkojnë angazhim të madh.

Sfidat nuk ndalen, ngjarjet ndërkombëtare nuk ndalen, kampionatet nuk ndalen. Ne nuk ndalemi, hendbolli nuk ndalet.

Duke pasur konsideratë për kohën tuaj shpalos në pika të shkurtra programin për të ardhmen:

Pra prioritet është masivizimi i hendbollit dhe ngritja e cilësisë nëpër klube.
Për këtë do të fillojmë me hartimin e strategjisë së hendbollit që do të bëhet brenda gjashtë muajve nga Bordi i ri dhe komisionet përkatëse;

Do të angazhohemi për aplikimin e mini-hendbollit në shkolla fillore;
Prioritet do të jenë edhe garat e grupmoshave të reja U12 e U-14. Klubet do të stimulohen për të organizuar ekipet e këtyre gjeneratave që është domosdoshmëri e kohës dhe do të jetë fokusi ynë;
Kampeve verore do t’iu shtohen edhe kampet e rregullta dimërore, me synim që numri i pjesëmarrësve të jetë në ngritje të vazhdueshme;

Do të bëjmë digjitalizimin e hendbollit; që të gjitha gjërat të bëhen në mënyrë digjitale dhe për këtë do të trajnohen administratorët e klubeve dhe do të pajisen me laptopë.
Këto janë disa prej planeve e synimeve për të ardhme, ndërsa unë jam në shërbimin tuaj për plotësim të listës së prioriteteve. Natyrisht llogaris në përkrahjen e të gjithëve për të shtyrë para proceset. Do të jem vazhdimisht në shërbim të komunitetit të hendbollit që së bashku të rrisim profilin e sportit tonë”, tha Saraçini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat