Deçani ka shënuar fitore të madhe të shtunën mbrëma.
Në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj, Deçani mposhti kampionin në fuqi, Kastriotin, me rezultatin 31:26. Ishte ky derbi i xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll, që arsyetoi plotësisht epitetin.
Të dirigjuar në fushë nga Egzon Gjuka, deçanasit ishin në epërsi në shumicën e kohës për fitoren më të madhe pas kthimit në elitë.
Pas fillimit të barabartë, mysafirët nisën shkëputje të lehtë. U shkëputën në 7:4 e më pas në 9:6. Por Kastrioti u afrua në 7:6 e 9:8 e më pas edhe në 10:9. Në pjesën e parë epërsia e Deçanit shkoi deri në pesë gola. Pas 30 minutave rezultati ishte 16:12 për Deçanin.
Shpejt në pjesën e dytë epërsia u rrit në gjashtë gola e më pas edhe në shtatë (25:18) e tetë (28:20).
Kastrioti kërkoi kthimin, por lojtarët e Deçanit e kontrolluan me sukses lojën deri në fund.
Albi Gjuka ishte më efikasi te Deçani me nëntë gola. Tetë i shënoi Egzon Gjuka e shtatë Arbios Mushkolaj. Me pritje të shumta në fitore kontribut të madh dha Flakrim Beqiraj.
Vuk Lakiçeviq i realizoi tetë gola për Kastriotin. Gjashtë i kishte Gent Bajrami.
Po të shtunën, Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Rahovecit me rezultat 37:22.
Çlirim Rama, Mali Luzha dhe Granit Kadiri i realizuan nga shtatë gola për Vëllaznimin. Ylli Morina i kishte pesë gola për “vreshtarët”, kurse nga katër i shënuan Erblin Qerimi e Ardit Dema.
Deçani tani është i dyti me tetë pikë, dy më pak se Besa Famgas. Kastrioti renditet i treti me gjashtë pikë, sa i ka edhe Vëllaznimi në vendin e katërt. Rahoveci mbetet i fundit, pa pikë.