Samadrexha e fiton derbin me Shqiponjën në Gjakovë

Hendboll

Samadrexha e fiton derbin me Shqiponjën në Gjakovë

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 17:44
Pamje nga ndeshja

Pas pjesës së parë të barabartë, lojtaret e Samadrexhës shfaqën shumë më tepër në pjesën e dytë për ta fituar derbin e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Të shtunën pasdite në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Samadrexha e mposhti Shqiponjën me rezultat 34:27.

Për kampionen në fuqi, Samadrexhën, është fitorja e pestë nga po aq ndeshje të zhvilluara. Shqiponja e pësoi humbjen e parë pas dy fitoreve.

Pjesa e parë e derbit ishte plotësisht e barabartë dhe përfundoi 14:13 për samadrexhaset. Ato ishin dukshëm më efikase në pjesën e dytë dhe po ashtu më të suksesshme në mbrojtje.

Jennifer Abreu i shënoi nëntë gola për Samadrexhën. Tetë i kishte Vitoria Oliveira, kurse nga pesë i shtuan Aulona Maloku dhe Arona Krasniqi.

Celine Sia Tolno i shënoi 12 gola për Shqiponjën. Te skuadra gjakovare shtatë gola i realizoi Ana Carolini Gonçalves.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje të tjera të xhiros së gjashtë.

Ferizaj e mposhti Ulpianën me rezultatin 42:10.

Elsa Kongjeli i realizoi 16 gola për Ferizajn. Tek Ulpiana më efikasja ishte Vlerona Buja me gjashtë gola.

Në Pejë, Besa fitoi ndaj Terezës me rezultat 36:22.

Samanda Konjuhaj me tetë dhe Dorentina Qufaj me shtatë gola udhëhoqën skuadrën pejane. Melike Ipçi i shënoi shtatë gola për Terezën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat