Zyrtarizimi i pranimit të plotë në IHF

Hendboll

Zyrtarizimi i pranimit të plotë në IHF

Nga: Kemajl Goca Më: 18 janar 2022 Në ora: 18:22
Topi

Pas pranimit të FHK-së në Federatën Evropiane të Hendbollit në Kongresin e Dablinit, Kosova sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të IHF-së nga mbledhja e Zagrebit, u pranua edhe në IHF përkohësisht, deri në Kongresin e rradhës.

Kurse në Kongresin e 35-të të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, që u mbajt në Sochi të Rusisë më 7 dhe 8 tetor 2015, presidenti i IHF-së, Dr. Hassan Moustafa, e vuri edhe formalisht në rend të ditës pranimin e Kosovës si anëtare të përhershme dhe fuqiplotë.

Delegacioni i FHK-së në këtë Kongres historik përbëhej nga presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci.

Paraprakisht, para anëtarëve të Kongresit, është prezantuar një film dokumentar lidhur me organizimin e shkëlqyeshëm të Kampionatit të IHF-së për vendet me hendboll në zhvillim, që ishte mbajtur në Kosovë nga 16 deri më 28 qershor 2015.

Ishte kjo një uvertyrë shumë e mirë për prezantimin e pozitës së Kosovës para delegatëve, para votimit që më vonë doli të jetë historik dhe që i parapriu pranimit të Kosovës edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe më pas në shumicën e federatave ndërkombëtare sportive.

Pas prezantimit të filmit, presidenti Eugen Saraçini mbajti një fjalim para delegatëve të IHF-së, që ishin afro 600. Saraçini falënderoi presidentin e IHF-së, Moustafa, për besimin ndaj FHK-së përkatësisht Kosovës, për të organizuar kampionatin e parë të IHF-së për shtetet me hendboll në zhvillim.

Sipas Saraçinit kjo ishte një dëshmi se Kosova ka kapacitete, dijeni, organizim dhe traditë të hendbollit dhe me këtë rast i dhuroi një simbol të Kosovës presidentit Moustafa.

Të gjithë të pranishmit duartrokitën dhe mbetën të mahnitur me organizimin që ishte bërë në Prishtinë e Gjakovë. Pjesë e Kongresit ishin edhe shumë zyrtarë që kishin qëndruar në Kosovës gjatë kampionatit.

Më pas u votua për pikën për pranimin e anëtarëve të rinj në IHF dhe Kosova me aklamacion u pranua me të drejta të plota, si anëtare e përhershme. Kështu i erdhi fundi një procesi shumë të gjatë e aspak të lehtë për pranim të plotë ndërkombëtar.

Madje kjo arrihej në mes të Rusisë, duke siguruar prezantimin e flamurit të Kosovës në një vend që nuk e njeh shtetin tonë. Më për hendbollin kosovar dhe për FHK-në nuk kishte asnjë pengesë të prezantimit ndërkombëtar. Si në shumë raste, FHK-ja i priu proceseve, për të cilën gjë edhe është e njohur.

Jemi federata e parë e sporteve kolektive që jemi pranuar në Federatën Evropiane dhe Botërore. E para që kemi garuar me klube në Evropë, e para që kemi organizuar ngjarje të rëndësishme evropiane e për shumë e shumë gjëra të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat