Muqolli: Besa është favorite për titull

Hendboll

Muqolli: Besa është favorite për titull

Nga: Kemajl Goca Më: 20 prill 2022 Në ora: 19:13
Muqolli: Besa është favorite për titull

Besa Famgas e Pejës, kampion në fuqi, përgatitet për sfidat e mëdha të play-off-it të Superligës dhe Kupës së Kosovës.

Pejanët nuk njohin humbje në elitën e hendbollit (meshkujt), 28 ndeshje po aq fitore dhe me 56 pikë përfunduan të parë në pjesën e rregullt të kampionatit.

Kryetrajneri i Besës, Arben Muqolli, ka bërë një punë të madhe në klub, treguesi më i mirë është bilanci i qind për qindtë. Muqolli tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se çdo ndeshje e marrin me seriozitet dhe sikurse finale. 

Ai po bëhet gati për sfidën kundër Rahovecit, ndeshja e parë e gjysmëfinales së Play-off-it të Superligës. 

“Se si kanë rrjedhur gjërat deri me tash, Besa Famgas-in e shoh si pretendent kryesor (favorit për titull). 

Në asnjë ndeshje nuk shkojmë se është lehtë, çdo lojë e japim qind për qind të arsenalit tonë. 

Mund të them se në minutat e fundit iu kushtojmë më shumë rëndësi të rinjve, duke iu dhënë hapësirë. Edhe në pjesën e dytë, deri kah mesi i ndeshjes shkojmë me qind për qind të kapacitetit. 

Kundër Rahovecit do të jemi të përqendruar, do të luajmë lojë tonë dhe të kualifikohemi në finale”, tha Muqolli për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Muqolli mendon se do të takohen në finale me Prishtinën, por pa gjasa nuk e lë as Trepçën.

“Prishtina është favorite dhe do të presin atë në finale, duke u bazuar në rezultatet e deritashme mes tyre, por edhe Trepça i ka mundësitë e veta”, tha më tej. 

Kryetrajneri i Besës tha se janë komplet me përjashtim të ndonjë hendbollistit të lënduar. “Jemi komplet, kemi disa lëndime të lehta, që i patëm tani me Kastriotin dhe vetëm janë sanuar, që nuk ishin aq serioze”, përfundon Muqolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat