Faruk Shala: Jam krenar me këtë skuadër

Hendboll

Faruk Shala: Jam krenar me këtë skuadër

Më: 4 maj 2022 Në ora: 23:59
Faruk Shala: Jam krenar me këtë skuadër

Trajneri i Istogut, Faruk Shala, thotë se është krenar me skuadrën që të mërkurën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës në hendboll.

Shala ka folur për sfidat me të cilat është përballur skuadra që drejton. Istogu i ka fituar të gjitha 26 ndeshjet, kurse në finale të plejofit ishte në dy ndeshje më i mirë se Ferizaj.

“Ky edicion ka qenë shumë sfidues për ne. Qysh në fillim kemi pasur disa largime të rëndësishme nga skuadra e gjithashtu shumë lëndime. Kemi humbur disa nga hendbollistet kryesore. Por kemi arritur të ndërtojmë një mentalitet fitues, që ka qenë shumë e rëndësishme për ne.

Kemi fituar edhe kur kemi pasur vështirësi dhe kjo më bën të ndihem vërtetë krenar për skuadrën time”, ka thënë Shala.

Ai vlerësohet më meritori për ngritjen e Istogut në skuadër që vazhdimisht synon trofe.

“Finalja e sivjetme ka qenë më cilësorja nga të gjitha finalet që kemi luajtur si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Në ndeshjen e parë në Istog kemi shfaqur shenja të pasigurisë, megjithatë kemi fituar në një ambient fantastik. Në Ferizaj kemi luajtur më mirë dhe kemi kontrolluar në tërësi lojën.

I jam shumë mirënjohës gjithë qytetit të Istogut për përkrahjen e madhe që na ka dhënë. Titulli i takon qytetarëve të Istogut. I falenderoj edhe shikuesit dhe të gjithë në Ferizaj për korrektësi dhe organizim të ndeshjes”, ka shtuar Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat