Prishtina mposht me penallti Vushtrrinë

Hendboll

Prishtina mposht me penallti Vushtrrinë

Më: 23 mars 2023 Në ora: 23:10
Pamje nga ndeshja

Ndeshje shumë interesante kanë zhvilluar Prishtina e Vushtrria, të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Fituesja është përcaktuar vetëm me penallti, pasi pjesa e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë, 29:29.

Lojtarët e Prishtinës i realizuan të gjitha penalltitë dhe kaluan në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll (34:32). Te Vushtrria, penalltinë nuk e realizoi braziliani Felippe Teixeira.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen.

Por pas minutës së dhjetë Vushtrria nisi shkëputjen dhe krijoi epërsi prej gjashtë golash në pjesën e parë (19:13, 20:14).

Në fillim të pjesës së dytë epërsia e mysafirëve u rrit në shtatë gola, 25:18. Prishtina nuk u dorëzua dhe u kthye gradualisht në lojë.

Rezultatin e barazoi vetëm në minutën e 58-të, 29:29. Më pas të dy skuadrat kishin rastet për ta përfunduar ndeshjen, por nuk konkretizuan dhe ndeshja u vendos me penallti.

Sergio Barreto i shënoi dhjetë gola për Prishtinën. Me lojë të mirë u dallua edhe portieri Cristiano Seben Rossa.
Nemanja Drakuloviq ishte më efikasi te Vushtrria me shtatë gola.

Në çerekfinalen tjetër, Trepça nuk ka lejuar befasi. Ka fituar thellë ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, me rezultat 41:25. Mitrovicasit nisën herët shkëputjen dhe më pas kanë kontrolluar lojën deri në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat