Tronditje e madhe për hendbollin hungarez dhe atë evropian, Kiss Dorottya Zsofia, ish-lojtare e ERD dhe anëtare e ekipit kombëtar të të rejave hungare, vdes tragjikisht në një aksident me makinë në moshën 21 - vjeçare.
Lajmi u publikua në rrjetet sociale të klubit ERD, fanellën e të cilit Dorottya Zsofia e veshi për më shumë se një dekadë.
"Me hidhërim të thellë njoftojmë anëtarët e komunitetit tonë se ish-lojtarja jonë, Kiss Dorottya Zsofia, humbi jetën tragjikisht në një aksident me makinë.
Ajo ka luajtur për klubin tonë për më shumë se dhjetë vjet. Ajo ishte vetëm 21 vjeç”, thuhet nga klubi.
Ajo kaloi nëpër të gjitha ekipet e të rejave të klubit dhe debutoi për ekipin e parë në nivelin më të lartë të kampionatit hungarez në vitin 2019.
Pika kulmore e karrierës së saj ndërkombëtare ishte viti 2022, kur fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Botëror në Slloveni si pjesë e ekipit hungarez U-20.