Kastrioti i Ferizajt, më i motivuar se kurrë, nesër do të marrin rrugë për në qytetin e rrushit përkatësisht në Rahovec, për të luajtur ndeshjen e parë të play-off-it të Kampionatit të Kosovës në hendboll.
Kampioni në fuqi Rahoveci dhe fituesi i Kupës së Kosovës, Kastrioti, do të përballen mes vete në luftë se cili do të jetë kampioni i ri.
Skuadra me dy fitore do të shpallet kampione.

Deniz Terziqi
Atmosferë motivuese të Kastrioti i kryetrajnerit Verim Zherka, pas Kupës e dojnë me ngulm edhe titullim e kampionit.
Klubi me renome që ka rikthyer edhe qytetarin në palestër “Bill Clinton” në Ferizaj, në ndeshje të fundit ka pas të pranishëm 2 deri 3 mijë shikues.
Deniz Terziqi, prej hendbollistëve më të mirë në Kosovë, motori i ekipit të Kastriotit, synon fitore në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, në finalen e parë që luhet nesër në orën 19.00.
“Pas një sezoni të gjatë dhe sfidues, më në fund ka ardhur momenti që e kemi pritur me padurim – finalja e madhe e play-off-it!
Jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj ndeshjeje vendimtare, një arritje që pasqyron gjithë punën, sakrificën dhe përkushtimin tonë gjatë këtij sezoni.
Përballja me KH Rahovecin nuk do të jetë e lehtë”, thotë Terziqi për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Terziqi, prej hendbollistëve më efikas në elitën tonë, thotë se Rahoveci ka një përparësi të vogël në finalen e parë.
“Si vendas, ata kanë një përparësi të vogël në këtë ndeshje, mbështetjen e publikut dhe ambientin që e njohin mirë. Për më tepër, kundërshtari ynë nuk ka njohur humbje gjatë gjithë sezonit – dhe e vetmja ndeshje që nuk e kanë fituar ka qenë ajo ndaj nesh e cila ka perfundu baraz. Kjo na jep besim dhe motivim shtesë”, shprehet ai.
Terziqi ia kujton rahovecianëve edhe një gjë, gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, ku Kastrioti i kishte eliminuar nga gara.
“E kemi treguar që mund t’ia dalim – fitorja ndaj tyre në gjysmëfinale të Kupës është dëshmi e qartë se kur jemi të përqendruar dhe të bashkuar, mund të mposhtim çdo kundërshtar.
Ne do të hyjmë në këtë finale me angazhim maksimal, me zemër, disiplinë dhe me dëshirë të madhe për fitore.
Kjo finale është më shumë se një ndeshje – është një mundësi për të treguar karakter, guxim dhe forcë ekipi”, ka përfunduar Terziqi.