Të hënën fillon NLB Kampi Veror

Hendboll

Të hënën fillon NLB Kampi Veror

Më: 11 korrik 2025 Në ora: 23:55
Foto ilustrim

Çdo gjë është gati për organizim e rëndësishëm të verës të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

NLB Kampi Veror fillon të hënën në Banjë të Pejës. Hapja zyrtare e NLB Kampit është nga ora 14:00 në palestrën “Dresha” në Banjë.

Prej 14 deri më 19 korrik do të jenë të grumbulluar hendbollistët e rinj dhe me potencial. Ndërkohë prej 19 deri më 25 korrik kampi mbahet për vajza.

Koordinator i punës me djem është selektori i Kosovës, Bujar Qerimi. Koordinator i punës me vajza është kryetari i Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës dhe trajneri i KHF Istogut, Faruk Shala.

Tashmë janë kompletuar ekipet e trajnerëve, janë përpiluar planet dhe çdo gjë është gati.

“Kampi Veror, këtë herë i quajtur NLB Kampi Veror për shkak të sponsorizimit dhe partneritetit që kemi me këtë bankë, është aktivitet shumë i rëndësishëm për federatën tonë. Jemi të përkushtuar që kampi të ketë rrjedhë sa më të mirë dhe gjatë tij të rrisim dashurinë për hendbollin te të rinjtë tanë. Programi është shumë atraktiv dhe presim që kampi, njëjtë si në vitet e kaluara, të jetë tregim suksesi”, thotë sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Muhamet Arifi.

Gjatë kampit në Banjë do të grumbullohet edhe Kombëtarja U19 e hendbollistëve dhe ajo U17 e hendbollisteve.

Gjithashtu kampi shërben si përzgjedhje për Kombëtaren U17 të hendbollistëve. Në fakt lojtarë të lindur në vitet 2008 e 2009 do të përzgjidhen dhe do të bashkohen me një grup lojtarësh që tashmë kanë dhënë sinjalet se janë të gatshëm për të luajtur me ekipet kombëtare të grupmoshave të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat