Opinion
Hendbolli në Kosovë ka një traditë të gjatë dhe ka nxjerrë gjenerata të shumta lojtarësh me talent, megjithatë sot shumë prej klubeve tona me traditë po kalojnë një krizë të thellë financiare dhe organizative, duke rrezikuar vazhdimësinë e tyre, ky realitet kërkon një vizion të ri dhe një plan të qartë zhvillimi që do t’i japë këtij sporti stabilitet dhe të ardhme.
Në vitin e parë duhet të vendosen themelet, të rinovohen sallat sportive, të futet hendbolli në shkolla, të organizohen liga shkollore e kampe verore dhe të përgatiten trajnerë të rinj, në vitin e dytë klubet duhet të forcohen, të hapin akademi për gjeneratat e reja, të ngritet cilësia e ligës vendore dhe të krijohen bashkëpunime me ekipe e trajnerë nga jashtë, viti i tretë duhet të jetë dalja në arenën ndërkombëtare me ngritjen e kombëtares, organizimin e turneve rajonale në Kosovë dhe promovimin e hendbollit si histori suksesi për rininë, viti i katërt duhet të sjellë stabilitetin me ligë të fortë, lojtarë me kontrata të sigurta, akademi që prodhojnë gjenerata të reja dhe fitore të rëndësishme në kualifikime evropiane, viti i pestë duhet të jetë konsolidimi, me hendboll të pranishëm në çdo qytet, klube të fuqizuara dhe kombëtare konkurruese në Evropë, me një brez të ri lojtarësh që do ta mbajnë sportin gjallë për dekada.
Rregullorja për lojtaret e huaja
Aktualisht klubeve u lejohet të sjellin deri në gjashtë lojtare nga jashtë, por për të ruajtur ekuilibrin dhe për të nxitur zhvillimin e lojtareve vendore propozohet që ky numër të reduktohet nga gjashtë në katër, ndërsa në ndeshje të kenë të drejtë loje vetëm tri, kjo do të bëjë që lojtaret e huaja të jenë të nivelit më të lartë dhe të sjellin cilësi, përvojë e profesionalizëm, ndërkohë që klubet vendore do të fokusohen më shumë në zhvillimin e talenteve kosovare.
Liga e femrave me 10 ekipe
Një hap tjetër i domosdoshëm është konsolidimi i ligës së femrave me dhjetë ekipe pjesëmarrëse, kjo do të krijojë konkurrencë të shëndetshme dhe do të sigurojë baza më të qëndrueshme financiare dhe sportive për klubet, sidomos për ato me traditë që gjenden në vështirësi, vetëm një ligë e organizuar mirë do të mund të rikthejë besimin e publikut dhe të sponsorëve.
Mbështetja institucionale dhe financiare
Për ta arritur këtë vizion federata dhe klubet nuk mjafton të mbështeten vetëm tek përkushtimi i tyre, është jetike që të ketë përkrahje më të madhe nga bizneset vendore duke shfrytëzuar ligjin për sponsorizime, si dhe nga komunat dhe Ministria e Sportit të cilat posedojnë sallat dhe hapësirat publike dhe kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sportit, vetëm përmes këtij bashkëpunimi të gjerë hendbolli i Kosovës jo vetëm që do të mbijetojë, por do të bëhet shembull i suksesit sportiv në rajon.
Thirrje urgjente
Federata duhet të reagojë me urgjencë para se hendbolli në Kosovë të përballet me kollaps, sepse vonesa e veprimeve vetëm sa e thellon krizën dhe e rrezikon të ardhmen e këtij sporti.