Jon Vokshi shkëlqeu me 15 gola: Jemi një hap larg titullit vjeshtor

Hendboll

Jon Vokshi shkëlqeu me 15 gola: Jemi një hap larg titullit vjeshtor

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 17 dhjetor 2025 Në ora: 14:54
Jon Vokshi

Klubi që i kushton më së shumti rëndësi punës me gjeneratat e reja dhe që ka nxjerrë në pah shumë talente, padyshim është Besa Famgas nga Peja.

Një klub model për punën me të rinjtë, të cilët sot po shndërrohen në shtylla të ekipit të seniorëve.

Një prej emrave më të spikatur është Jon Vokshi, talent i madh i hendbollit, i cili me sukses po luan për klubin më të trofeshëm të Kosovës që nga pavarësimi i sportit nga ai ish-jugosllav.

Image

Jon Vokshi në veprim

Aloja e majtë po shkëlqen me efikasitet, ndërsa aktualisht renditet i katërti në listën e golashënuesve në Superligë, me gjithsej 113 gola, vetëm 10 më pak se lideri Albi Gjuka i Prishtinës.

Besa Famgas kryeson kampionatin me 22 pikë, duke lënë pas Rahovecin dhe Kastriotin që kanë po ashtu nga 22 pikë.

Jon Vokshi tha se synimi i tij kryesor është të japë kontribut maksimal në skuadër dhe se ky sukses është rezultat i punës së përbashkët brenda kolektivit.

“Unë mendoj që ajo që na veçoj gjatë sezonit vjeshtor ka qenë puna e vazhdueshme dhe serioziteti si i stafit ashtu edhe bashkëlojtarëve, e kemi ndërtuar një grup të bashkuar ku secili prej nesh e dijmë rolin e caktuar dhe jemi gjithmonë të gatshëm të sakrifikojmë për ekipin nëse duhet.

Se sa jemi të bashkuar dhe luftojmë për njëri - tjetrin besoj e shfaq edhe gol diferenca ku jemi ekip me më së paku gola të pësuar e që është rezultat i punës se palodhshme dhe disiplinës”, tha Vokshi për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Besa Famgas është shumë afër titullit të kampionit vjeshtor, të cilës i duhet edhe një fitore në përballjen e fundit të këtij viti me Vëllaznimin.

Vokshi shprehet se duhet të janë të fokusuar në secilën përballje.

“Sigurisht që jemi një hap larg titullit vjeshtor është ndjenjë shumë e mirë për çdo lojtar, mirëpo kjo duhet të jetë motiv që të qëndrojmë të bashkuar dhe të fokusuar në mënyrë që të vazhdojmë drejtë kësaj rrugë”, nënvzoi Vokshi. 

Vokshi mbrëmë shënoi 15 gola për fitoren e thellë të Besës më rezultat 68:34 ndaj Vushtrrisë.

“Edhe golat e shënuar në ndeshjen e djeshme janë dëshmi e besimit tek njëri - tjetri dhe punës kolektive në klub.

Fokusi ynë mbetet të ndeshja e radhës që të përmbyllin stinorin në një mënyrë sa më të mirë të mundshme”, thotë Vokshi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat