EHF refuzon kërkesën e Islandës para ndeshjes për medaljen e bronztë ndaj Kroacisë

Hendboll

EHF refuzon kërkesën e Islandës para ndeshjes për medaljen e bronztë ndaj Kroacisë

Nga: K.G. Më: 31 janar 2026 Në ora: 13:40
Snorri Steinn Guðjónsson

Federata Islandeze e Hendbollit ka shprehur pakënaqësi të madhe me organizimin e fundjavës finale të Kampionatit Evropian në Herning, për të cilin është përgjegjëse EHF-ja.

Anëtarë të lodhur të delegacionit islandez u detyruan të merrnin pjesë në një aktivitet mediatik herët në mëngjes, pavarësisht një nate jashtëzakonisht të gjatë pas tyre, shkruan mediumi islandez “Vísir”.

Kombëtarja e Islandës u kthye në hotel vonë mbrëmë, rreth mesnatës, e zhgënjyer pas humbjes në gjysmëfinale ndaj Danimarkës.

Shumë lojtarë më pas iu nënshtruan masazheve për t’u rikuperuar sa më mirë për ndeshjen e nesërme për medaljen e bronztë kundër Kroacisë.

Sipas mediave islandeze, trajtimet zgjatën thellë në natë, madje deri rreth orës 04:00 të mëngjesit. Rikuperimi është thelbësor, sidomos duke pasur parasysh ritmin rraskapitës: Islanda ka zhvilluar tetë ndeshje në vetëm 15 ditë.

EHF refuzon kërkesën për shtyrje

Për shkak të natës pa gjumë, Federata Islandeze e Hendbollit kërkoi shtyrjen e angazhimeve mediatike të planifikuara për orën 10:00 të mëngjesit me kohën lokale. Megjithatë, kërkesa nuk u pranua. Brenda delegacionit islandez ka pakënaqësi të dukshme ndaj Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) për këtë mënyrë organizimi.

Kritikat ndaj orarit nuk janë të reja

Kjo nuk është hera e parë që dëgjohen ankesa ndaj EHF-së. Trajneri i Kroacisë, Dagur Sigurðsson, ishte shumë i ashpër në një konferencë për shtyp para dy ditësh, ndërsa kritikat e tij u mbështetën edhe nga trajneri i Gjermanisë Alfreð Gíslason dhe ai i Islandës Snorri Steinn Guðjónsson.

Më pas, EHF lëshoi një deklaratë ku theksohej se kombëtaret nuk do të luanin më ndeshje në dy ditë radhazi, siç ndodhi me Islandën dhe Kroacinë në fazën kryesore të turneut në Malmo.

Megjithatë, sipas përfundimit të gazetës islandeze, duket se interesat e lojtarëve ende po injorohen, pasi kërkesat për ndryshimin e orarit të aktiviteteve mediatike gjatë kësaj fundjave nuk janë marrë parasysh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat