Kombëtarja e Danimarkës është kampione e Evropës në hendboll.
Në finalen e zhvilluar në Herning, danezët triumfuan ndaj Gjermanisë me rezultat 34:27, duke fituar titullin evropian për herë të katërt në histori.
Më të dalluarit te Danimarka ishin Simon Pytlick me tetë gola, si dhe Johan Hansen dhe Mathias Gidsel me nga shtatë realizime secili.
Te Gjermania, më efikasit u treguan Johannes Golla, Juri Knorr dhe Marko Grgiq, të cilët shënuan nga pesë gola.
Që nga fillimi i ndeshjes, Danimarka u shfaq si skuadër më e organizuar dhe një hap përpara kundërshtarit, megjithëse gjermanët arritën të qëndrojnë në lojë dhe të mos lejojnë shkëputje të madhe.
Portieri gjerman Andreas Wolff u dallua në pjesën e parë me disa pritje vendimtare, ndërsa te Danimarka Emil Nielsen nuk ishte në nivelin e zakonshëm, çka bëri që në portë të aktivizohej Kevin Møller, i cili gjithashtu kontribuoi me pritje të rëndësishme.
Gjermania luftoi fort dhe madje kaloi disa herë në epërsi, por pësoi një goditje të madhe në mesin e pjesës së parë, kur mbrojtësi kryesor Tom Kiesler u përjashtua pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Gidselit, duke e goditur në fytyrë dhe duke i dhënë fund turneut të tij.
Ndeshja u zhvillua gol pas goli, me ritëm të lartë dhe lojë dinamike.
Danimarka nuk arriti të shkëputej ndjeshëm dhe pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale prej dy golash për vendasit.
Në fillim të pjesës së dytë, të dy portierët shkëlqyen, duke mbajtur rezultatin të ngushtë. Megjithatë, pas rreth dhjetë minutash lojë,
Danimarka rriti ndjeshëm ritmin, ndërsa Gjermania nisi të binte fizikisht dhe taktikisht.
Danezët krijuan një epërsi të sigurt, të cilën e menaxhuan deri në fund, duke mos i dhënë mundësi Gjermanisë të rikthehej në lojë.
Në fund, Danimarka festoi një fitore bindëse dhe me meritë u shpall kampione e Evropës.