KH Kastrioti nga Ferizaj tronditi KH Besa Famgas në Pejë, duke e mposhtur me rezultat 25:20 në derbin e javës së 16-të të Superliga e Kosovës në hendboll.
Takimi, i cili pritej të ishte kryendeshja e javës, zhgënjeu për nga cilësia, me shumë gabime nga të dyja skuadrat dhe larg nivelit të pritur.
Pjesa e parë u mbyll baras 11:11.
Në pjesën e dytë, ferizajasit e drejtuar nga trajneri Vlladimir Gligorov treguan lojë më të organizuar dhe më efikase. Kastrioti krijoi epërsi 14:19 në minutën e 45-të, thelloi në 15:20 (50’) dhe në fund triumfoi me pesë gola diferencë (20:25).
Më efikasi te Kastrioti ishte Festim Mustafa me 7 gola, i ndihmuar nga Felipe Teixeira me 6 dhe Alban Haziri me 5, ndërsa portieri Wadi Chebbi pati paraqitje brilante. Te pejanët u dallua Denis Terziqi me 5 gola, si dhe portieri Olti Kabashi.
Në renditje, Rahoveci kryeson me 28 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti, ndërsa Besa Famgas mbetet në pozitën e tretë me 24 pikë (me një ndeshje më pak).