Të dielën (nesër) në mesditë grumbullohen hendbollistet e Kombëtares A të Kosovës.
Grumbullimi bëhet në Prishtinë, ku edhe do të zhvillohen stërvitjet e para për ndeshjet e rëndësishme me Finlandën.
Stërvitja e parë është po të dielën nga ora 17:30 e deri në ora 19:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.
Të hënën janë dy stërvitje, e po ashtu të martën, kurse të mërkurën në mëngjes bëhet udhëtimi për në Finlandë.
Ndeshja e parë me Finlandën është të enjten, më 5 mars, nga ora 17:30 në Vantaa.
I takon xhiros së tretë të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2026. Ndeshja e dytë me Finlandën është të dielën e javës së ardhshme, më 8 mars, nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kombëtarja jonë është në Grupin 1 së bashku edhe me Francën e Kroacinë. Franca e Kroacia kanë shënuar fitore në dy xhirot e para, ndaj Kosovës e Finlandës. Rrjedhimisht ndeshjet e javës së ardhshme vendosin për vendin e tretë në grup. Edhe prej vendit të tretë është i mundshëm kualifikimi në Evropian.
Katër Kombëtaret më të mira të vendit të tretë prej gjashtë grupeve sa janë gjithsej kualifikohen në Evropian.