Shabani: Ndeshje të rëndësishme me rivalen direkte

Hendboll

Shabani: Ndeshje të rëndësishme me rivalen direkte

Më: 1 mars 2026 Në ora: 13:15
Agron Shabani

Kombëtarja e Kosovës në hendboll është grumbulluar sot në prag të dy ndeshjeve me Finlandën.

Ndeshja e së enjtes në Vantaa dhe e së dielës së ardhshme në Prishtinë u takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të hendbollisteve.

Kosova e Finlanda janë rivale direkte për vendin e tretë në grup, që po ashtu mund të sigurojë kualifikimin në Evropianin e këtij viti.

Selektori i Kosovës, Agron Shabani, ka folur për rëndësinë e ndeshjeve.

“Është ndeshje me peshë të madhe, duke pasur parasysh që jemi konkurrentë direkt për renditje në grup. Franca e Kroacia janë nivel më i lartë, kështu që rastin e kërkojmë ndaj Finlandës.

Finlanda nuk është prej Kombëtareve të njohura në Evropë, por megjithatë ka lojtare që luajnë në ligat elitare në vende me hendboll të zhvilluar si Suedia e Norvegjia”, ka thënë Shabani në fillim të grumbullimit.

Ai ka theksusar se ndeshja në udhëtim nuk do të jetë e lehtë.

“Kundërshtari është i papërshtatshëm dhe me zhvillim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Por, natyrisht, pres angazhim maksimal dhe paraqitje me motiv të lartë që nga fillimi”, ka theksuar selektori Agron Shabni.

Ai i gëzohet kthimit të Dafina Mustafës, sidomos për të udhëhequr luftën në mbrojtje, e po ashtu të Yllka Shatrit që po tregon formë të mirë në Kroaci. Për Melisa Mulajn ka thënë se e forcon sulmin, aq më tepër që mungojnë lojtare si Elisa Mirdita e Sara Gjergjaj, që janë të lënduara.

“Kemi edhe disa lojtare të reja që treguan paraqitje solide në grupmoshat e reja. Jemi në kërkim të ekipit më të mirë, që do të përballet me Finlandën me përkushtim dhe mbrojtje solide.

E dimë që Finlanda është kundërshtare serioze dhe fizikisht shumë e përgatitur. Por vajzat tona janë të motivuara maksimalisht.

Besoj se me disiplinë dhe me përkrahje të publikut, sidomos në ndeshjen në Prishtinë, mund të arrijmë rezultat pozitiv. Çdo pikë në këto kualifikime është e artë për ne”, ka thënë Agron Shabani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat