Kjo është çmenduri çka po ndodh në Kosovë!

Hendboll

Kjo është çmenduri çka po ndodh në Kosovë!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 1 mars 2026 Në ora: 13:18
Pamje nga ndeshja

Një shikues ka dërguar disa fotografi nga palestra dhe pyetja e tij ishte e drejtpërdrejtë dhe me shqetësim:

“Kur kanë ndryshuar rregullat e hendbollit në Kosovë?

Me pesë lojtarë luhet hendbolli?

Katër hendbollistë dhe një portier në fushë kundër palës rivale?

Mos e bë Zot!

Mos vallë Kosova po u prin me shpejtësinë e dritës ndryshimit të rregullave?”

Shikuesi ishte brenda palestrës së sportit “Bill Clinton” në Ferizaj dhe më shkroi i tronditur.

Hendbolli standard luhet me shtatë lojtarë, por dje Llapi U-16 ka udhëtuar në Ferizaj me vetëm katër lojtarë dhe një portier. Dhe ndeshja është zhvilluar ashtu.

Në fund, Kastrioti U-16 e fitoi takimin me rezultat 25:12 edhe pse vendasit nganjëherë nuk luani komplet në shenjë respekti për rivalin që nuk kishte lojtarë.

Delegati dhe gjyqtarët meritojnë notën dhjetëshe për sakrificën, durimin dhe lejimin e zhvillimit të kësaj ndeshjeje.

Me këtë logjikë, një ditë do të luhet edhe me tre lojtarë e portier. Nuk është dert i madh, mjafton loja të zhvillohet, qoftë edhe me një portier dhe një lojtar!

Shihni ironinë: një trevë si Llapi, që ka dhënë emra të hendbollit, sidomos në kohën e okupimit dhe rezistencës kundër regjimit serb, kishte gjenerata shembullore dhe kampione të Kosovës për juniorë.

Vlonte me talente.

Për këtë mjafton të pyesni Hasan Shala, i cili ka dekada në hendboll dhe mund të tregojë për kohën e shkëlqimit të Llapit.

Si është e mundur që një Llapi të vijë në këtë gjendje?

Kjo është e dhimbshme. Është krizë e thellë, krizë talentesh dhe krizë financiare për shumicën e klubeve.

Dhe kur sporti bie në këtë nivel, alarmi nuk duhet të ndizet vetëm në një qytet, por në gjithë vendin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat