​KH Istogu i shpëton përjashtimit nga garat

Hendboll

​KH Istogu i shpëton përjashtimit nga garat

Më: 16 mars 2026 Në ora: 10:08
KH Istogu

Klubi i Hendbollit të vajzave “Istogu”, i ka shpëtuar përjashtimit nga garat elitare të hendbollit kosovar pas ka arritur që ta zhvillojë ndeshjen kampionale kundër KH Ulpiana të dielën.

KH Istogu nuk e kishte zhvilluar ndeshjen e parë kundër KH Prishtinës dhe në rast se nuk do të mund ta zhvillonte as ndeshjen e dytë, sipas rregullores se garave, do të përjashtohej nga kampionati.

Lajmin e mirë e ka dhënë trajneri i KH Istogut, Faruk Shala.

“Siç iu kemi njoftuar edhe më parë, kemi qenë në përpjekje maksimale për të zhvilluar ndeshjen e radhës. Kjo u arrit falë angazhimit të udhëheqësve të klubit, pasi me investim vetanak është renovuar parketi i palestrës private, është vendosur shtresë gerflor, specifike për lojën e hendbollit. Për 10 ditë, kompania ka punuar në palestër deri në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, dhe në mbrëmje, nga ora 19:00, u arrit të zhvillohej ndeshja ndaj Ulpianës”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se palestra është 20 kilometra larg qytetit të Istogut dhe se tani e tutje skuadra do të stërvitet në këtë palestër.

“Kjo palestër është rreth 20 km larg Istogut. Tani klubi do të vazhdojë procesin stërvitor në këtë palestër. Shumica e hendbollisteve janë të reja, me synim që ta përfundojmë këtë kampionat pa pengesa të reja dhe të mobilizohemi për vitin e ardhshëm. Ajo që do të doja është që MKRS dhe Komuna e Istogut të jenë më të përgjegjshme, të afrojnë pozicionet e tyre dhe të përfundojnë palestrën e qytetit, e cila është interes nacional”, ka thënë Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat