Kosova shokon Bosnjën në Prishtinë

Hendboll

Kosova shokon Bosnjën në Prishtinë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 22 mars 2026 Në ora: 18:28
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës ka treguar tjetër fytyrë të lojës sonte, duke i shkaktuar humbje me rezultat 33:29 (17:15) Bosnjës dhe Hercegovinës, në ndeshjen e kthimit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror në hendboll.

Kosovës i kushtoi shtrenjtë humbja në Tuzëll me rezultat 34:21 nga Bosnja, duke u eliminuar nga kjo garë shumë e madhe.

Bosnja e nisi furishëm duke avancuar me rezultat 1:4, por me kalimin e kohës kjo epërsi u shkrinë dhe rezultati u barazua në 5:5.

Djelmoshat tanë më pas avancuan në 7:6 dhe 8:6, ndërsa loja mbeti e baraspeshuar me shifrat 9:9, 13:13 dhe 14:14.

Pjesa e parë u mbyll me dy gola epërsi (17:15) në të mirë të Kosovës. Në pjesën e dytë, djelmoshat tanë shtuan epërsinë në katër gola (25:21) në minutën e 41-të.

Hendbollisti Bujar Ramosaj tregoi lojë shumë të mirë dhe me golat e tij i dha motiv shtesë bashkëlojtarëve. Bosnja nuk u dorëzua në asnjë moment, duke e ngushtuar rezultatin në 26:24 në minutën e 46-të. Kastriot Jupa shënoi për 27:24 në minutën e 48-të.

12 minutat e fundit u zhvilluan me emocione të mëdha ndaj rivalit, duke sjellë drithërima para rreth 700 shikuesve në Qendrën e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Në minutën e 56-të, Ramosaj shënoi për 30:26, duke i dhënë goditje të rëndë rivalit. Kosova ngadhënjeu me plot meritë (33:29) ndaj Bosnjës.

Bujar Ramosaj ishte më i dalluari me 7 gola, i ndihmuar nga Drilon Tahirukaj me 4, Leonard Gegaj 4, Shaban Zogaj 4, si dhe portieri Arti Luzha me paraqitje të mirë.

Te Bosnja, më efikasi ishte Mislav Grgiç  e Amer Shainoviq, secili realizuan nga  6 gola.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat