Rezultatet e kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave në hendboll janë fryt i punës që bëhet nëpër klube.
Mungesa e punës serioze në klube e ka sjellë këtë krizë të thellë që po reflektohet drejtpërdrejt në nivelin e kombëtares.
Siç thonë disa njohës të këtij sporti, disa “të diplomuar” e kanë sjellë këtë gjendje.
Së pari, licencat nuk duhet të lëshohen sikur të shpërndahen karamele për Ditën e Bajramit për t’i gëzuar fëmijët.
Së dyti, kryesitë e klubeve duhet të jenë shumë më serioze kur emërojnë trajnerë e trajnerë në ekipet e tyre.
Nuk mund të emërohen trajnerë, qoftë për gjeneratat e reja apo për senioret, persona që nuk kanë njohuritë dhe përvojën për të ndërtuar një lojtare dhe për ta ngritur atë në një nivel më të lartë.
Kemi pasur raste kur trajnerët kanë qenë në pushime, ndërsa ekipin e ka stërvitur një trajner volejbolli.
Si është e mundur që një trajner i volejbollit të përgatisë fizikisht një ekip hendbolli?
Volejbolli dhe hendbolli janë dy sporte krejtësisht të ndryshme.
Volejbolli nuk ka kontakte fizike, sepse lojtarët ndahen nga rrjeta, ndërsa hendbolli është sport fizik, me duele të forta dhe përplasje të vazhdueshme.
Kjo kërkon përgatitje specifike dhe profesionale.
Nga ana tjetër, kemi aq shumë trajnerë me licenca, sa duket sikur edhe vendet e rajonit mund të na lakmojnë për numrin e tyre.
Disa profesorë-e e arsimtarë-e, të diplomuar e me master, mendojnë se stërvitja përbëhet vetëm nga fjalë si: “Gjuaje topin, sille topin, pushoni se jeni lodhur!”.
Ka raste kur gjatë stërvitjes dikush hyn pas perdeve për të pirë cigare në emër të pushimit, apo fshihet pas veturës që të mos shihet duke pirë duhan. Me rëndësi, sipas tyre, është të krijohet një atmosferë në palestra me 1800 ulëse dhe vetëm shtatë shikues.
Ku jemi me këta trajnerë, shumica e të cilëve nuk e meritojnë as të jenë në hyrje të sallës? Pikërisht kjo qasje e ka sjellë këtë krizë të thellë.
Ka trajnerë që në vend se të punojnë, ankohen në kafiteri: “Ky më ka inat, ky është kundër meje, ky më xhelozon”.
Çfarë ka për të xhelozuar, kur rezultatet flasin vetë? Nuk është mëkat që një kombëtare si Kroacia ta mposhtë Kosovën me 37:13, por e dhimbshme ishte pjesa e dytë me serinë 12:0 dhe rezultatin 19:3. Habia më e madhe është se Superliga e femrave ka arritur në një nivel të tillë sa, fatmirësisht për ne, Evropa ende nuk e ka vërejtur se zhvillohen ndeshje ku një ekip shënon 70 gola.
Ka ndeshje ku ekipet paraqiten vetëm me 7 lojtare, në vend të 16 sa e kërkon rregullorja.
Aq shumë “punohet”, sa ndodh që mezi plotësohet përbërja me shtatë lojtare. Prandaj, mos qofsha në lëkurën e selektorit të Kosovës, Agron Shabani. Vashat tona, pa përvojë, dhanë maksimumin ndaj kroateve dhe nuk janë ato fajtore për këtë situatë.
Kjo krizë është pasojë e punës së dobët nëpër klube dhe e trajnerëve e trajnereve që janë pajisur me licenca sikur karamele që shpërndahen për Ditën e Bajramit.
Selektorit Agron Shabani nuk i mbetet tjetër, veçse të shohë se çfarë po ndodh dhe të përballet me pasojat e një sistemi që kërkon ndryshim rrënjësor.