Edin Kolgeci përmend vija të kuqe

Hendboll

Edin Kolgeci përmend vija të kuqe

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 14 prill 2026 Në ora: 16:20
Edin Kolgeci

Hendbolli po kalon në një krizë të thellë nëpër klube, sidomos në aspektin financiar por edhe me numrin e hendbollistëve dhe hendbollisteve, ku goxha është i varfër në pjesën dërrmuese të klubeve.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka folur pa dorëza në një intervistë të gjatë për gazetën kombëtare “Bota sot” , se a pritet të jetë ky vit edhe më i vështirë, ku pritet të jetë opsioni i vijës së kuqe, dhe si e pa kombëtaren e Kosovës (meshkujt) në Tuzëll e Prishtinë.

Po ashtu ka folur edhe për Kampin Nacional që pritet të ndërtohet në Shtime dhe a do të zgjerohet ky projekt edhe në qendra tjera, si e sheh shikueshmërinë në hendboll, pse nuk e përjashton rinovimin e kombëtares së Kosovës me lojtarë të rinj, a pritet të ketë largime nga kombëtarja të lojtarëve dhe zvogëlimin e Superligës së Kosovës -  femrat? 

Image

Jo me kaq, si e sheh gjendjen e trajnerëve, kemi apo jo kuadro dhe a do të përjashtohen në të ardhmen klubet që shkojnë me 5-6-7 lojtarë në ndeshje kampionale, klubet të cilat nuk e respektojnë edicionin garues.  

“Bota sot”: Z. president, si e shihni vitin 2026 për hendbollin në përgjithësi dhe a pritet të jetë një vit me më shumë telashe sesa viti paraprak? 

Image

Edin Kolgeci: Viti 2026 pritet të jetë një vit sfidues, por njëkohësisht edhe shumë i rëndësishëm për zhvillimin e hendbollit në Kosovë.

Përveç garave të rregullta vendore dhe angazhimeve ndërkombëtare të klubeve dhe përfaqësueseve, Federata e Hendbollit e Kosovës do të përballet edhe me organizimin e disa ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare, gjë që kërkon angazhim të madh organizativ dhe financiar.

Në këtë drejtim, 2026 nuk pritet domosdoshmërisht të jetë më problematik sesa viti paraprak, por sigurisht do të jetë më intensiv dhe me më shumë përgjegjësi. Organizimi i kampionateve evropiane dhe zhvillimi i kategorive të reja paraqesin sfida, por edhe mundësi për rritje të nivelit të hendbollit kosovar.

Fokusi kryesor do të mbetet stabiliteti financiar, zhvillimi i të rinjve, përmirësimi i kushteve infrastrukturore dhe rritja e cilësisë së garave vendore. Me bashkëpunim të mirë mes federatës, klubeve dhe institucioneve, 2026 mund të jetë një vit i suksesshëm dhe një hap përpara për hendbollin kosovar.

‘Bota sot”: Ballafaqimi i kombëtares së Kosovës me Bosnjën dhe Hercegovinën kishte dy fytyra, fillimisht në Tuzëll një humbje të thellë me rezultat 34:21, ndërsa në Prishtinë një fitore 33:29 që nuk mjaftoi për kualifikim. Sipas jush, çfarë nuk shkoi?

Edin Kolgeci: Humbja e thellë në Tuzëll ishte rezultat i disa faktorëve që nuk funksionuan si duhet, duke filluar nga qasja psikologjike, gabimet teknike dhe mungesa e përqendrimit në momentet kyçe.

Në ndeshje të këtij niveli, çdo rënie e ritmit ndëshkohet menjëherë, dhe kjo u pa qartë në pjesën e dytë në Tuzëll, ku diferenca u krijua shpejt dhe ishte e vështirë të rikuperohej.

Nga ana tjetër, ndeshja në Prishtinë tregoi karakterin dhe potencialin real të ekipit.

Fitorja 33:29 dëshmoi se kombëtarja jonë ka cilësi dhe mund të rivalizojë me ekipe të forta, por diferenca e madhe nga ndeshja e parë e bëri shumë të vështirë kualifikimin.

Mendoj se faktorët kryesorë që ndikuan ishin mungesa e stabilitetit në lojë nga një ndeshje në tjetrën, rotacioni i kufizuar i lojtarëve dhe përvoja më e madhe e kundërshtarit në ndeshje vendimtare.

Megjithatë, paraqitja në Prishtinë është një sinjal pozitiv për të ardhmen dhe tregon se me më shumë vazhdimësi, përgatitje dhe stabilitet, Federata e Hendbollit e Kosovës mund të ndërtojë një kombëtare edhe më konkurruese në ciklet e ardhshme.

“Bota sot”: Në opinion publik po përflitet se është koha që tre-katër hendbollistë të largohen nga kombëtarja, pasi mendohet se nuk kanë më çfarë të japin. Kuptohet se kjo është përgjegjësi e selektorit, por ju si president, a mendoni se ka ardhur koha për ndryshime të thella?

Edin Kolgeci: Çdo debat në opinion publik është i mirëseardhur dhe tregon interesimin për Kombëtaren. Megjithatë, duhet të kemi kujdes që vlerësimet të bëhen në mënyrë profesionale dhe me respekt për kontributin e lojtarëve që për vite me radhë kanë dhënë shumë për Kombëtaren.

Është e natyrshme që çdo kombëtare kalon nëpër një proces rifreskimi dhe gjeneratat ndryshojnë. Ky proces duhet të bëhet gradualisht dhe me kujdes, duke kombinuar përvojën e lojtarëve më të vjetër me energjinë dhe potencialin e të rinjve.

Vendimet konkrete për përbërjen e ekipit janë kompetencë e selektorit dhe stafit teknik, ndërsa roli ynë si federatë është të krijojmë kushtet për një tranzicion të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Nga perspektiva e FHK, ne jemi gjithmonë të hapur për evoluim dhe përmirësim. Nëse vlerësohet nga stafi profesional se ka ardhur momenti për ndryshime më të thella, atëherë ato duhet të bëhen në mënyrë të planifikuar dhe jo të nxituar.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet harruar se përvoja në ndeshje ndërkombëtare është shumë e rëndësishme. Largimi i menjëhershëm i disa lojtarëve me përvojë mund të krijojë boshllëk, prandaj qasja më e mirë është një tranzicion gradual, duke përfshirë më shumë lojtarë të rinj në grumbullime dhe ndeshje testuese.
Qëllimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një kombëtare më konkurruese, më të balancuar dhe me perspektivë afatgjatë. Nëse kjo kërkon ndryshime, atëherë ato do të bëhen, por gjithmonë me plan dhe në interes të hendbollit të Kosovës.

“Bota sot”: A është momenti që të rrezikohet më shumë në rinovimin e kombëtares së Kosovës, duke synuar krijimin e një gjenerate të qëndrueshme për 8–10 vitet e ardhshme?

Edin Kolgeci: Mendoj se po, është një moment i përshtatshëm për të filluar një proces më të guximshëm të rinovimit tek Kombëtarja e Kosovës në hendboll, por gjithmonë duke ruajtur balancën mes përvojës dhe energjisë së re.

Ndërtimi i një gjenerate të qëndrueshme për 4–6 vitet e ardhshme është një objektiv strategjik që kërkon planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim të ngushtë mes selektorit, klubeve dhe federatës.

Siç e thashë edhe më lartë, rinovimi i kombëtares nuk duhet të shihet si një ndryshim i menjëhershëm dhe drastik, por si një proces gradual, ku lojtarët e rinj integrohen hap pas hapi, duke fituar përvojë ndërkombëtare krahas lojtarëve më me eksperiencë.

Kjo qasje ulë rrezikun dhe njëkohësisht krijon bazë të qëndrueshme për të ardhmen.

Ne kemi lojtarë të rinj me potencial të madh, si në kampionatin vendor ashtu edhe jashtë vendit, dhe është shumë e rëndësishme që atyre t’u jepet hapësirë dhe besim.

Nëse ky proces menaxhohet si duhet, atëherë mund të ndërtojmë një kombëtare më konkurruese dhe më të qëndrueshme për vitet në vijim. Qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë një ekip që jo vetëm konkurron sot, por që ndërton sukses të qëndrueshëm për të ardhmen e hendbollit kosovar.

“Bota sot”:  T’i kthehemi Superligës së Kosovës. Rivaliteti në konkurrencën e meshkujve është shumë i madh, sidomos në derbit si KH Kastrioti – KH Rahoveci dhe KH Kastrioti – KH Besa Famgas, ku shikueshmëria arrin 1500–2000 tifozë. A mendoni se gradualisht kjo shikueshmëri do të rikthehet edhe në qendrat tjera?

Edin Kolgeci: Rritja e interesimit në ndeshjet e Superligës, sidomos nëpër derbi, është një sinjal shumë pozitiv për hendbollin kosovar. Prania e 1500–2000 tifozëve tregon se hendbolli vazhdon të ketë bazë të fortë dhe interes të madh nga publiku. Besoj se kjo shikueshmëri gradualisht do të rikthehet edhe në qendrat tjera, por kjo kërkon disa elemente të rëndësishme: rritje të cilësisë së garave, organizim më të mirë të ndeshjeve, promovim më të madh mediatik dhe përfshirje më të madhe të komunitetit lokal.

Kur klubet janë konkurruese dhe ndeshjet kanë rëndësi reale, tifozët gjithmonë kthehen në palestra. E keni vërejtur që ka konkurrencë dhe ndeshje shumë të mira edhe për vendin e katërt që dërgon në playoff.

Gjithashtu, roli i federatës është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, përmes përmirësimit të marketingut të ligës, transmetimeve televizive dhe projekteve që afrojnë të rinjtë me hendbollin.

Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me RTV21 edhe me RTK për transmetime e po ashtu ndeshjet transmetohen edhe në kanalin e federatës. Jam duke punuar në atë drejtim që të kemi një kanal që përveç ndeshjeve të kemi edhe shumë informata rreth hendbollit edhe vendor edhe ndërkombëtarë.

Nëse vazhdojmë me këtë trend pozitiv dhe punojmë në mënyrë të koordinuar me klubet, jam i bindur se në vitet e ardhshme do të shohim më shumë palestra të mbushura edhe në qytete të tjera, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe profesionalizimin e hendbollit në Kosovë.

“Bota sot”: A është produktive apo negative që klubet po i kushtojnë më shumë rëndësi përforcimeve me hendbollistë dhe hendbolliste nga jashtë? A planifikoni të vendosni një vijë të kuqe për numrin e lojtarëve të huaj në të ardhmen?

Edi Kolgeci: Angazhimi i lojtarëve dhe lojtareve nga jashtë në Superligat e Kosovës në hendboll ndoshta ka edhe anët pozitive, por edhe sfida që duhet të menaxhohen me kujdes.

Nga njëra anë, përforcimet e huaja rrisin cilësinë e garës, sjellin përvojë ndërkombëtare dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e lojtarëve vendorë, të cilët përfitojnë nga konkurrenca dhe bashkëpunimi me ta. Por nuk mund të pajtohem që të gjithë lojtarët e huaj janë kualitativ. Ky trend ndoshta rrit interesimin e publikut dhe e bën ligën më atraktive.

Nga ana tjetër, nëse numri i lojtarëve të huaj rritet pa kontroll, ekziston rreziku që të kufizohet hapësira për hendbollistët vendorë, sidomos për të rinjtë, gjë që mund të ndikojë negativisht në zhvillimin afatgjatë të kombëtareve si dhe kategorive të reja.

Si Federatë, ne po e ndjekim me kujdes këtë trend. Aktualisht, qëllimi ynë është të ruajmë një balancë të shëndetshme mes cilësisë së ligës dhe zhvillimit të lojtarëve vendorë. Vendosja e një “vije të kuqe” për numrin e lojtarëve të huaj është një opsion që mund të shqyrtohet në të ardhmen, por një vendim i tillë duhet të merret në konsultim me klubet dhe me një analizë të mirëfilltë.

Objektivi ynë nuk është të kufizojmë cilësinë, por të sigurojmë që zhvillimi i hendbollit vendor të mbetet prioritet. Nëse vlerësojmë se prania e lojtarëve të huaj po ndikon negativisht në këtë drejtim, atëherë do të ndërmarrim masa konkrete për të ruajtur balancën dhe perspektivën afatgjatë të hendbollit kosovar.

“Bota sot”: Në Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave, duket se liga me 9–10 ekipe po jep rendiment të dobët, siç ishte rasti i ndeshjes Ulpiana – Prishtina 27:70. A janë pjekur kushtet që të kemi një Superligë me vetëm 6 skuadra?

Edin Kolgeci: Është e vërtetë që në Superligën në hendboll për femra po vërehen dallime të mëdha në cilësi mes skuadrave, dhe rezultate si këto tregojnë qartë se aktualisht konkurrenca nuk është e balancuar.

Mirëpo e dini që edhe në liga të ndryshme ndërkombëtare ndodhin këto lloj rezultatesh. Kjo situatë natyrisht hap diskutimin nëse modeli aktual me 9–10 ekipe është më i përshtatshmi.

Reduktimi i ligës në 6 skuadra mund të ketë disa përparësi, si rritja e cilësisë së ndeshjeve, konkurrencë më e fortë dhe zhvillim më i shpejtë i lojtareve. Ndeshjet më të forta dhe më të balancuara ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të përgjithshëm të hendbollit të femrave dhe në përgatitjen më të mirë të lojtareve për garat ndërkombëtare.

Megjithatë, një vendim i tillë duhet të analizohet me shumë kujdes, sepse reduktimi i numrit të skuadrave mund të ndikojë edhe në zhvillimin e hendbollit në qendra të ndryshme dhe në mundësitë për lojtaret e reja.

Qëllimi ynë si Federatë është të gjejmë balancën mes cilësisë dhe zhvillimit të gjerë të hendbollit. Prandaj, kjo është një çështje që është në diskutim dhe që kërkon konsultim me klubet, analizë të performancës së ligës dhe një strategji afatgjatë për hendbollin e femrave. Nëse vlerësohet se një ligë me 6 skuadra do të sjellë më shumë cilësi dhe zhvillim, atëherë kjo mbetet një opsion serioz për të ardhmen.

“Bota sot”: Federata e Hendbollit të Kosovës po përpiqet të investojë më shumë në kuadro profesionale. A mendoni se kemi mungesë të trajnerëve të nivelit të lartë dhe kjo po e penalizon sado kudo hendbollin tonë?

Edin Kolgeci: Investimi në kuadro profesionale është një nga prioritetet kryesore të Federatës së Hendbollit, pasi zhvillimi i trajnerëve lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e hendbollit në të gjitha nivelet.

Është e vërtetë që kemi nevojë për më shumë trajnerë të nivelit të lartë, sidomos ata me përvojë ndërkombëtare dhe me licenca të avancuara.

Mungesa e trajnerëve të tillë ndikon jo vetëm në ligat e Kosovës në hendboll, por edhe në zhvillimin e kategorive të reja dhe në cilësinë e Kombëtareve të Kosovës në hendboll dhe përfaqësueseve tjera. Trajnerët janë faktor kyç në krijimin e lojtarëve cilësorë, prandaj investimi në edukimin dhe avancimin e tyre është thelbësor për të ardhmen e hendbollit tonë.

Në këtë drejtim, federata ka filluar dhe do të vazhdojë me organizimin e shkollimeve, seminareve, trajnimeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, në mënyrë që trajnerët tanë të kenë mundësi të avancohen profesionalisht dhe të ndjekin trendet moderne të hendbollit.

Megjithatë, duhet theksuar se kemi edhe trajnerë cilësorë vendorë që po bëjnë punë shumë të mirë, dhe që me mbështetje të mëtejshme mund të arrijnë nivele edhe më të larta. Qëllimi ynë është të krijojmë një bazë më të gjerë trajnerësh profesionalë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm të hendbollit kosovar në vitet e ardhshme.

“Bota sot”: Me ndërtimin e kampit nacional në Shtime çfarë përfitimesh do t’i sjellë hendbollit tonë dhe a do të zgjeroheni me projekte të mëdha edhe në qendra tjera?

Edin Kolgeci :Edhe pse duket pak futuristike apo e parealizueshme sepse nga e kaluara shumë projekte dhe iniciativa në Kosovë kanë mbetur në letër shpresoj dhe besoj që mundësitë janë reale.

Kryetari i komunës së Shtimjes z. Qamil Aliu na ka dhënë përkrahje si dhe ka ndarë një parcelë mbi 2ha e po ashtu vjet edhe kam filluar bisedat me ministritë përkatëse për të filluar me procedura. Jemi në pritje të një projekti ideor e mandej të shohim të vazhdojmë tutje sa më shpejtë.

Janë ngritur shumë pyetje pse në Shtime e arsyet janë shumta. Ndarja e parcelë nga komuna, pozita dhe qasja e lehtë (sivjet fillon kyqja në autostradë që lidhet shumë afër parcelës). Kjo qendër do të është e Kosovës pra e të gjithëve. Ndërtimi i kampit nacional pritet të sjellë disa përfitime shumë të rëndësishme për zhvillimin e hendbollit në vend.

Kjo qendër nacionale do të shërbejë si qendër e përhershme për: Grumbullimin e talenteve të rinj dhe mundësi për seleksionim më profesional të lojtarëve të rinjë. Organizimin e kampeve verore dhe dimërore për të gjitha grupmoshat. Përgatitje më profesionale për kombëtaret si dhe kushte moderne për stërvitje dhe përgatitje fizike. Grumbullime më të shpeshta të kombëtareve e poashtu edhe ulje të kostove të organizimit brenda dhe jashtë vendit. Do të shfrytëzohet po ashtu edhe për zhvillimi e trajnerëve dhe gjyqtarëve. Me organizimin e shkollimeve, seminareve dhe edukimit të vazhdueshëm, bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, rritje e nivelit profesional të stafit teknik e të tjera.

Sa më shumë qendra apo palestra të dedikuara ku përparësi do të ketë hendbolli janë të mirëseardhura.

P.sh: Këto ditë jemi në biseda edhe me komunën e Ferizajt për të marrë në menaxhim edhe palestrën e re në Greme e cila ende nuk është hapur.

“Bota sot”: Muajt e fundit janë vërejtur raste kur disa klube, sidomos të juniorëve, nuk kanë treguar seriozitet duke udhëtuar me 5 ose 6 lojtarë, madje edhe në kategorinë e seniorëve me 7–9 lojtarë. A është koha që Federata të marrë vendime të prera për sezonin 2026–2027, ku klubet që nuk paraqiten me numrin e lojtarëve (sipas propozicioneve të garave, 16 lojtarë e lojtare) të penalizohen apo edhe të përjashtohen nga garat?

Edin Kolgeci: Penalizimi dhe përjashtimi nga garat është veprimi më i "lehtë" edhe nga komisari i garave edhe nga ana e federatës. Por, duhet pasur parasysh edhe realitetin në të cilin veprojnë klubet.

Gjendja e dobët financiare e shumë klubeve, mbështetja e kufizuar nga komunat, si dhe sfidat e përgjithshme ekonomike dhe politike në vend, kanë ndikuar dukshëm në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Për këtë arsye mendoj që çdo vendim duhet të jetë i balancuar, duke kombinuar disiplinën dhe standardet organizative me mbështetje konkrete për klubet, në mënyrë që masat të mos dobësojnë më tej hendbollin, por ta ndihmojnë atë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. (nesër - vijon pjesa e dytë e intervistës)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat