Xhiroja e fundit me ndeshje vendimtare

Hendboll

Xhiroja e fundit me ndeshje vendimtare

Më: 17 prill 2026 Në ora: 21:41
Pamje nga ndeshja

Të shtunën zhvillohen tri ndeshje të xhiros së 28-të, përkatësisht të fundit të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Gara është e hapur për disa pozita.

Ndeshje me rëndësi për të dy skuadrat, e sidomos për atë vendase, është ajo mes Llapit dhe Rahovecit, që zhvillohet nga ora 20:00. Nga ora 19:00 janë takimet Kastrioti – Vushtrria dhe Vëllaznimi – Besa Famgas. Edhe takimi në Gjakovë ka peshë të madhe për ekipin nikoqir.

Për shkak se kanë lojtarë në Kampionatin Mesdhetar, ndeshja mes Trepçës dhe Prishtinës zhvillohet më 21 apo 22 prill.

Kastrioti është lider me 48 pikë, por pozitën e parë duhet ta konfirmojë në xhiron e fundit. Rahoveci është i dyti me 47 pikë.

Besa Famgas do të startojë në plejof nga pozita e tretë. I ka 38 pikë nga 25 ndeshje. Gara për vendin e katërt është e hapur. Llapi në vendin e katërt dhe Vëllaznimi në të pestin i kanë nga 22 pikë.

Ndërkohë Trepça e Prishtina vendosin direkt për vendin e gjashtë që siguron mbetjen në Superligë.Trepça është e gjashta me 18 pikë, një më shumë se Prishtina. Të dy skuadrat e kanë nga një ndeshje më pak me Besa Famgas.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat