Norvegjia publikon listën për Kampionatin Evropian

Hendboll

Norvegjia publikon listën për Kampionatin Evropian

Më: 30 tetor 2026 Në ora: 23:27
Lista

Përzgjedhësi i Kombëtares së femrave të Norvegjisë, Ole Gustav Gjekstad, ka publikuar listën me 19 hendbolliste që do të nisin përgatitjet për Kampionatin Evropian dhe do të marrin pjesë në turneun “Ajs Kup”, i cili zhvillohet në nëntor.

Në listë janë përfshirë pesë hendbolliste që deri më tani nuk kanë marrë pjesë në ndonjë garë të madhe me kombëtaren seniore. Megjithatë, pritet që dy ose tri prej tyre të mos jenë pjesë e listës përfundimtare për udhëtimin drejt Rumanisë.

Gjekstad ka bërë të ditur se gjatë përzgjedhjes janë marrë parasysh paraqitjet e hendbollisteve në klubet e tyre, statistikat, forma e treguar gjatë grumbullimeve, si dhe vlerësimet e stafit teknik dhe të ekipit mjekësor.

Norvegjezet do t'i vazhdojnë përgatitjet me pjesëmarrjen në turneun “Ajs Kup”, në Stjørdal, ku nga 26 deri më 28 nëntor do të përballen me Ishujt Faroe dhe Holandën. Më pas, më 30 nëntor, do të udhëtojnë drejt Rumanisë.

Në Kampionatin Evropian, Norvegjia do të garojë në një grup me Maqedoninë e Veriut, nikoqiren Rumaninë dhe Zvicrën.

Në listën e përzgjedhur mungojnë disa emra të njohur të hendbollit norvegjez, si Vilde Ingstad, Veronica Kristiansen dhe Stine Skogrand.

Megjithatë, edhe pa këto hendbolliste, Norvegjia ka një skuadër që ndërthur përvojën me rininë dhe konsiderohet një nga favoritët kryesorë për fitimin e medaljes së artë në Kampionatin Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat