Besnik Basholli: Ky është një moment historik për Samadrexhën

Hendboll

Besnik Basholli: Ky është një moment historik për Samadrexhën

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 28 prill 2026 Në ora: 18:10
Besnik Basholli e Besnik Maloku, kryetrajner

Aty ku punohet, nuk mungojnë edhe sukseset. Klubi i hendbollit Samadrexha është shndërruar në model gjatë këtij edicioni për shumë klube, për organizim dhe nivelin e lojërave që po tregojnë në Superligën e Kosovës.

Samadrexha fitoi Kupën e Kosovës për herë të parë të ekzistimit si klub, tani synojnë titullin e dytë të Kosovës, pas 20 viteve të rikthejnë në vitrinat e tyre.

Presidenti i klubit, Besnik Basholli, po bën një punë të madhe me stafin e tij dhe beson e shpreson se edhe titulli do të jetë në vitrinat e klubit. 

“Jam jashtëzakonisht krenar që në këtë periudhë kam nderin të jem presidenti i parë që i sjell Samadrexhës trofeun e parë – Kupën e Kosovës.

Ky është një moment historik për klubin tonë. 

Pas tri viteve pune të palodhshme, sakrifice dhe përkushtimi të madh nga të gjithë, më në fund arritëm ta kurorëzojmë këtë rrugëtim me një trofe të merituar.

Kemi dhënë shumë – si klub, si staf, por edhe personalisht – dhe ky sukses është shpërblimi i gjithë asaj pune.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të ndalemi këtu”, thotë Basholli për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Basholli tha se ka synim edhe titullin e kampionit.

Ai është i bindur se këtë edicion do të përfundojë me të gjitha trofetë, duke pas parasysh se ka ekipin më të mirë.

“Ambiciet tona janë të qarta: Kupës së Kosovës synojmë t’ia bashkojmë edhe titullin kampion dhe Superkupën këtë vit, duke e kompletuar një sezon historik.

Do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë krenare Samadrexhën dhe Vushtrrinë, ndërsa paralelisht synojmë të forcohemi edhe më shumë për të qenë të gatshëm për garat evropiane”, tha ai.

Basholli kërkon edhe kujdesin e shtuar, sipas tij nuk do të jetë aspak lehtë në garat e play-off-it në luftë për titullin e kampionit të Kosovës. 

“Jam i vetëdijshëm që faza e play-off-it do të jetë shumë sfiduese dhe interesante, por besoj fuqishëm në pjekurinë e ekipit tonë.

Deri tani kemi zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, pa asnjë humbje që nga shtatori, dhe mendoj se këtë vit e meritojmë edhe titullin kampion. Jam shumë krenar edhe për trajnerin, i cili jep maksimumin nga vetja.

Kemi një raport shumë të mirë dhe mirëkuptim të plotë, gjë që reflektohet edhe në harmoni brenda ekipit.

Atmosfera është shumë pozitive dhe fitimi i Kupës ka rritur edhe më shumë moralin tek vajzat dhe te i gjithë klubi. Me një fjalë – koha po punon për ne.

Shpresojmë dhe besojmë se në fund do të dalim fitues dhe faqebardhë”, ka përfunduar Basholli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat