Samadrexha e Shqiponja të vendosura për hapin e parë drejt titullit

Hendboll

Samadrexha e Shqiponja të vendosura për hapin e parë drejt titullit

Më: 12 maj 2026 Në ora: 23:00
Pamje nga ndeshja

Të mërkurën (nesër) nga ora 20:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë zhvillohet finalja e parë e plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Përballen Samadrexha dhe Shqiponja e Gjakovës, që edicionin e rregullt garues e përfunduan në dy pozitat e para.

Si Samadrexha ashtu edhe Shqiponja synojnë ta bëjnë hapin e parë drejt titullit që e presin gjatë. Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione e Kosovës në hendboll.

Samadrexhaset i fituan të gjitha 16 ndeshjet në pjesën e rregullt të garës. Në gjysmëfinale të plejofit fituan 35:26 dhe 36:30 ndaj Ferizajt.

Skuadra gjakovare, Shqiponja, ishte e dyta në stinorin e rregullt, me bilanc prej 13 fitore e tri humbje. Në gjysmëfinale të garave shtesë, hendbollistet e Shqiponjës fituan 25:21 dhe 28:24 ndaj atyre të Istogut.

Shqiponja e ka fituar titullin e vetëm deri më tani në edicionin 2017/18.

Ndërkohë Samadrexha titullin e fundit e ka fituar në edicionin 2006/07. Atëbotë skuadra nga Samadrexha e mbante emrin Vicianet.

Istogu e ka fituar titullin e kampionit në katër vitet e kaluara. Por tani Samadrexha apo Shqiponja do ta fitojnë trofeun kryesor të hendbollit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat