Ferizaj në këmbë, finalja e parë mes Kastriotit e Rahovecit

Hendboll

Ferizaj në këmbë, finalja e parë mes Kastriotit e Rahovecit

Më: 19 maj 2026 Në ora: 11:32
Pamje nga ndeshja

Pas pushimit për shkak të aktiviteteve të ekipeve kombëtare, të mërkurën vazhdon gara për titull të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Nga ora 20:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj është finalja e parë e plejofit mes Kastriotit dhe Rahovecit.

Përfundimisht spektakli i hendbollit është i garantuar, ndërsa edhe numri i shikuesve pritet të jetë i madh.

Në turneun final të Kupës, arena “Bill Clinton” ishte përplot me shikues dhe njëjtë pritet të jetë edhe në garën për titull të kampionit.

Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione. 

Kastrioti e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e parë, ndërsa në gjysmëfinale të garave shtesë e eliminoi pas dy ndeshjeve skuadrën e Vëllaznimit. Rahoveci, kampioni i edicionit të kaluar, në stinorin e rregullt ishte i dyti.

Në gjysmëfinale, po me dy ndeshje, e eliminoi Besa Famgasin.

Kastrioti e ka fituar Kupën e Kosovës dhe do ta ketë përkrahjen e shikuesve në ndeshjen e parë, të tretë dhe eventualisht në ndeshjen e pestë finale. Ndeshja e dytë dhe eventualisht ndeshja e katërt, do të luhen në Rahovec.

Fillimisht i gjithë fokusi është te superndeshja e së mërkurës mbrëma në Ferizaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat