Një ndeshje me ritëm, emocione deri në sekondat e fundit dhe atmosferë elektrizuese në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj i ka takuar Kastriotit nga Ferizaj, që ka triumfuar me rezultat 25:23 ndaj Rahovecit në finalen e tretë të play-off-it të Kampionatit të Kosovës në hendboll.
Pas kësaj fitoreje të madhe, Kastrioti avancon 2:1 në serinë finale dhe tashmë ndodhet vetëm një hap larg titullit të kampionit.
Rreth 1.500 tifozë të pranishëm përjetuan një duel të zjarrtë, me rivalitet të madh dhe rezultat të paparashikueshëm deri në fund.

Ferizajasit e nisën fuqishëm takimin dhe shumë shpejt krijuan epërsi bindëse 6:1 në minutat e para, ndërsa më pas kontrolluan lojën duke ruajtur avantazhin.
Edhe pse mysafirët u afruan në 8:7, vendasit rikthyen kontrollin dhe pjesën e parë e mbyllën me rezultat 14:11.

Njeriu kryesor i 30 minutave të parë ishte pa dyshim Yassine Henahen, i cili udhëhoqi sulmin e Kastriotit me shtatë gola, por një rol vendimtar pati edhe portieri Wade Chebbi, me pritje të rëndësishme që mbajtën ekipin në epërsi.
Megjithatë, Rahoveci nuk u dorëzua.

Në fillim të pjesës së dytë mysafirët rikthyen tensionin duke ngushtuar rezultatin në 14:13, ndërsa në minutën e 42-të gjithçka nisi nga e para me barazimin 18:18.
Madje, një minutë më vonë Rahoveci kaloi për herë të parë në epërsi 20:18, duke e vënë Kastriotin në vështirësi serioze.
Por vendasit reaguan fuqishëm. Brenda pak minutash rezultati u barazua në 20:20 dhe finalja hyri në fazën më dramatike. Kur rezultati ishte 22:22 në minutën e 58-të, Chebbi realizoi një pritje vendimtare që ngriti publikun në këmbë dhe i dha hov Kastriotit për avantazhin 23:22.
Në çastet vendimtare, vendasit treguan më shumë qetësi dhe efikasitet, ndërsa Jeton Bislimi vulosi triumfin me golin që çoi rezultatin në 25:23.
Henahen ishte lojtari më efikas i ferizajasve me 11 gola, i mbështetur nga Gentrit Brahimi dhe Felippe Teixeira, që realizuan nga katër gola secili. Te Rahoveci, më të dalluarit ishin Egzon Gjuka me gjashtë gola, si dhe Mali Luzha e Jon Muqolli me nga katër realizime.