​Qytete e fshatra pa ujë për shkak të reduktimeve, Liqeni i Badovcit mund të mbushet nga Ujmani

Kosova

​Qytete e fshatra pa ujë për shkak të reduktimeve, Liqeni i Badovcit mund të mbushet nga Ujmani

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 13:10
Foto ilustrim

Ndonëse Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po aplikon reduktime të ujit tash e një kohë, në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”, thotë se mund të ketë ujë pa ndërprerje duke e furnizuar Liqenin e Badovcit. Në “Ibër Lepenc”, tregojnë se janë të gatshëm ta mbushin Badovcin nga liqeni i Ujmanit nëpërmjet aseteve dhe kanaleve që kanë.

Sipas KRU “Prishtina”, reduktimet e ujit kanë nisur që nga muaji korrik në Prishtinë dhe fshatra për rreth, Graçanicë, por reduktime ka edhe në Podujevë, Lipjan e Drenas. E gjithë këto reduktime mund të mos ndodhin, pasi Liqeni i Badovcit mund të mbushet nga Liqeni i Ujmanit, ku ka ujë të mjaftueshëm.

E për këtë mbushje të liqenit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, Januz Kabashi, ka deklaruar se duhet të bëhet një kërkesë nga KRU “Prishtina”.

Sipas tij, kanalet e Ibër-Lepencit, kanalet janë funksionale dhe të gatshme për furnizim.

Kabashi: Me kërkesën e “KRU Prishtinës”, ne jemi të gatshëm të bëjmë furnizimin me ujë

“Prej liqenit të Ujmanit e deri në pikën e fundit në Çagllavicë, janë 90 kilometra gjatësi, ku kalohet nëpër tunele, kuaduktë edhe në kanal të hapur. Kanalet janë funksionale në gjithë gjatësinë e kanaleve të Ibër-Lepenc-it. Në pikën e fundit të ujëmarrjes e kemi në Çagllavicë. Çagllavica është edhe pika e fundit në pompim, për furnizimin e ujit me ujin e liqenit të Badovcit duhet të pompohet dy herë, në Graqankë njëherë dhe njëherë në pjesën tjetër të Çagllavicës. Është një gyp prej Çagllavicë deri në Badovc më gjatësi 7 kilometra në profil të fi-600. Me kërkesën e “KRU Prishtinës”, ne jemi të gatshëm çdoherë të bëjmë furnizimin me ujë në çdo kohë. Kanali ynë do të jetë funksional në momentin që ata kërkojnë”, ka deklaruar ai.

Kabashi bëri të ditur se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ende nuk ka bërë kërkesë për të furnizuar me ujë liqenin e Badovcit nga Ujmani.

Kabashi: Deri më tani nuk kemi kërkesë nga KRU “Prishtina”

“Jo deri më tani nuk kemi kërkesë nga KRU “Prishtina”. Zakonisht kërkesat bëhen sipas përvojës apo sipas informacioneve që i kemi, diku rreth muajit shtator, edhe pse ne gjendjen në liqen e Ujmanit e kemi të mirë, janë diku rreth 290 milionë kube ujë, nuk ka probleme prej anës tonë për furnizim. Asetet tona dhe kanalet tona janë funksionale deri në pikën e fundit në Çagllavicë, aty ku ndërpritet projekti ynë dhe prej aty vazhdon me asetet e “KRU Prishtinës”, ka theksuar Kabashi.

Sipas tij, Ujmani ka ujë të mjaftueshëm për furnizim që mundëson mos të këtë reduktime as gjatë natës, siç ka paralajmëruar “KRU Prishtina”.

Kabashi tregoi që kanalet mund të jenë të papastruara ndonjëherë, mirëpo nëse ka kërkesë janë gati t’i aktivizojnë brenda 24 orëve.

Kabashi: Kanalet jemi gati të aktivizojmë brenda 24 orëve

“Prej Besisë deri në Çagllavicë është gjatësia 35 kilometra, është kanal i hapur, ka edhe sifone, mirëpo është funksional. Ne në vazhdimësi i mirëmbajmë, mund të jenë të papastruara ndonjëherë, mirëpo nëse paraqitet nevoja dhe ka kërkesë për mbushjen e liqenit, ne jemi gati të aktivizojmë brenda 24 orëve. Gjithçka brenda aseteve të Iber-Lepencit janë funksionale”, vijoi Kabashi.

Ai shtoi se prej liqenit të Pridrovicës deri në Çagllavicë, gjithsej 90 kilometra është kompetencë e Ibër-Lepencit, ndërsa gypi prej Çagllavicës deri në Badovc më gjatësi 7 kilometra, që është kompetencë e “KRU Prishtina”, është i dëmtuar për shkak të presionit të pompës së ujit.

Kabashi: Kemi informata që ai gyp është i dëmtuar

“Sipas informatave jozyrtare sepse ne nuk jemi kompetent, pasi është në asetet e “KRU Prishtinës”, e dimë që ai gyp është i dëmtuar. Dëmtohet për shkak të presionit të pompës tonë aty edhe përpjetës deri te liqeni. Kemi pasur biseda me “KRU Prishtinën”, kanë thanë që ka nevojë të nderohet ai gyp sepse është shumë i vjetër, andaj krijohet edhe humbja. Duke pasur parasysh që janë edhe shpenzimet të larta, sepse për të shkuar uji deri te liqeni i Badovcit prej Besisë e deri në Çagllavicë, duhet të pompohet me dy pompa, janë shpenzime të mëdha. Ne gjithashtu sheshim ujë industrial edhe kostoja është më e lartë, prandaj është problem i “KRU Prishtinës”, po më siguri ata i ndërmarrin masat të cilat i takojnë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu theksoi se ka mundësi të këtë rrjedhje nga liqeni i Badovcit, pasi nuk ka thatësira edhe shumë.

KosovaPress ka pyetur KRU “Prishtinën”, lidhur me këtë mundësi që është nëpërmjet Ibër Lepencit”, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat