Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kritikuar Komunën e Vushtrrisë për blerjen e dy veturave në vlerë prej 90 mijë eurosh, duke pretenduar se në të njëjtën kohë nuk janë ndarë mjete për investime në shkollën e Stanocit të Poshtëm.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se Komuna ka blerë dy vetura të markës Volkswagen.
Sipas tij, bëhet fjalë për një Volkswagen Tayron R-Line, në vlerë prej 60 mijë eurosh, dhe një Volkswagen Taigo R-Line, që ka kushtuar 30 mijë euro.
Ai ka publikuar edhe numrin e prokurimit 2026/644-26-1358-1-2-1, duke vënë në pikëpyetje prioritetet e shpenzimeve të Komunës.
Tahiri ka ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve në shkollën e Stanocit të Poshtëm, duke rikujtuar se objekti ishte renovuar tërësisht në vitin 2018, gjatë kohës kur ai drejtonte komunën.
Sipas tij, që nga ajo kohë, për tetë vjet nuk janë realizuar investime në këtë shkollë.
“Komuna e Vushtrrisë i blen 2 vetura në vlerë 90,000€ por besoni ose jo nuk ka buxhet për nxënësit dhe renovimin e Shkollës në Stanoc të Poshtëm”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka kritikuar shpenzimet për vetura, duke i cilësuar si luks në raport me nevojat e shkollës dhe nxënësve.