Historiani Imeraj: Ja arsyet pse votova kundër rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë

Kosova

Historiani Imeraj: Ja arsyet pse votova kundër rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë

Nga: N.Sh. Më: 14 maj 2015 Në ora: 08:49

Pretendimet e Gazmend Boletinit dje sot në Këshillin Organizativ për organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini vendimi për rivarrosjen e heroit në Vlorë me 10 qershor u mor me unanimitet, i ka hedhur poshtë edhe një anëtar i këtij Këshilli, Shkodran Imeraj.

Ja sqarimi i plotë që Shkodran Imerajt ka dërguar në “Bota sot”.

Dje, me rekomandimin e Drejtorit të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, isha prezent në mbledhjen e Këshillit Organizues për rivarrimin e eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini. Në këtë mbledhje të gjithë ishin të bindur se do të diskutonim rreth idesë, që eshtrat e Isa Boletinit të rivarroseshin në vendlindjen e tij, në Boletin të Mitrovicës.

Mirëpo, që në fillim të takimit, Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, paraqiti idenë që eshtrat e Isa Boletinit, me pëlqimin edhe të familjes së tij, të rivarroseshin përkohësisht në Vlorë. Përkundër kërkesës time të vazhdueshme për të marrë fjalën para se ideja e tillë të hidhej si propozim për votim, ministri i Forcës së Sigurisë i Republikës së Kosovës, nuk më dha fjalën. Kështu, propozimi u hodh në votim, ku në grupin e gashtë përfaqësuesve nga institucione të ndryshme, isha edhe unë që votova kundër një propozimi të tillë.

Pas votimit, ministri Demolli më dha fjalën, me ç’rast deklarova: “Historikisht jemi në dijeni se Ismail Qemali dhe Isa Boletini kishin një qëllim. Meqë disa herë është shtyrë rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit, në emrin tim ju propozoj që ky rivarrim të shtyhet për 23 janar 2016, ku edhe është 100 vjetori i vrasjes së Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Pasi që keni vendosur ti rivarrosni përkohësisht eshtrat e tij, është mirë që ato me ceremoni jo pompoze të rivarrosen diku tjetër në Kosovë, apo edhe në Isniq prej nga familja Boletini ka origjinën e saj. Unë dua të shpreh pakënaqësinë time edhe me përfaqësuesin e familjes Boletini, Gazmend Boletini, i cili që disa vite në kontakte të vazhdueshme me Isniqin është dakorduar që si mundësi e fundit për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit të jetë edhe Isniqi”.

Për arsye profesionale dhe kombëtare, e ndjeva veten të obliguar të mos e aprovoj një propozim të tillë, sepse Isa Boletini më shumë peshon në vendin e lindjes së tij se sa në një kompleks memorial në Vlorë, ku nuk prehen eshtrat e aktorëve kryesorë të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Isa Boletini kundërshtoi edhe kancelaritë evropiane për ndarjen e tokave shqiptare, përfshirë këtu edhe vendlindjen e tij në fshatin Boletin, i cili tashmë ndodhet në pjesën veriore të Mitrovicës.

Mr. Shkodran Imeraj
Hulumtues i pavarur shkencor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat